Tiranë - Një 43-vjeçar i cili vodhi 2 makina për t’i shitur ka rënë në prangat e policisë së Tiranës.
Nga video e publikuar nga uniformat blu shihet qartë se si Elton Tafa hyn i qetë në një parking merr makinën dhe largohet.
Sipas njoftimit të policisë njëra nga mjetet e vjedhura dy ditë më parë u gjet në qytetin e Durrësit.
Vijon puna për gjetjen e makinës tjetër.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3, pas kallëzimit nga një shtetase, për vjedhjen e automjetin që ajo kishte në përdorim, organizuan punën për zbardhjen e vjedhjes dhe gjetjen e automjetit. Si rezultat i hetimeve të kryera në kuadër të operacionit “Qëllimi”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi:
-E. T.(B)., 43 vjeç.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ka vjedhur 2 automjete. Automjetin që ia ka vjedhur kallëzueses, më datë 28.09.2025, ai e ka dërguar në Durrës, me qëllim për ta shitur. Ky automjet u gjet dhe u sekuestrua nga shërbimet e Policisë.
Punohet për gjetjen e automjetit tjetër që dyshohet se e ka vjedhur 43-vjeçari, në muajin korrik, dhe për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që ai mund të ketë kryer.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.









Komente
Komento