TIRANE-  Dy ngjarje kriminale janë shënuar brenda pak orësh në kryeqytet. Gati një orë pas mesnatës së të martës në tavernën "San Marco", përballë godinës së Prokurorisë së Tiranës, mbeti i vrarë pronari i saj, si dhe tre persona u plagosën. Rreth orës 06:00 policia u përplas me armë zjarri me një grup të armatosur të cilët dilnin të bllokonin furgonat e linjës Kamëz- Tiranë.

Vrasja tek taverna "San Marco" u shënua rreth orës 01: 40 minuta të së mërkurës në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu".

Persona ende të paidentifikuar qëlluan me armë automatik  në drejtim të tavernës duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të pronarit të tavernës Nikolin Doda, 42 vjeç dhe plagosjen e 3 miqve të tij .

POLICIA: NIKOLIN DODA I DENUAR ME BURG PER TENTATIVE VRAJEJE
Në orën 15:00 Policia e Tiranës dha detaje në lidhje me vrasjen e pronarit të tavernës “San Marco”. Sipas zëdhënëses së policisë pista kryesore e hetimit është hakmarrja.

"Gjatë ecurisë së hetimit me synim zbardhjen e motiveve të kësaj ngjarje, është duke u hetuar në disa pista ndërkohë që pista kryesore dyshohet të jetë për motive hakmarrje, pasi viktima në vitin 1997 ka kryer një tentativë vrasje me pasojë plagojen e rëndë të një shtetasi. Për këtë ngjarje, viktima ka kryer dënimin nga viti 1997 deri në 2005 në qytetin e Lezhës. - bëri të ditur zëdhënësja e policisë Alma Katragjini.

VRASJA
Paraprakisht dyshohet se viktima  ka qënë duke dalë nga lokali nën shoqërinë e miqve të tij, kur janë qëlluar disa herë me armë zjarri në drejtim të tyre. Sipas burimeve nga policia mendohet se autorët kanë pritur që 42 vjeçari të dalë nga taverna dhe më pas kanë qëlluar me breshëri nga një makinë e bardhë tip golf me të cilën janë larguar nga vendi i krimit.
Nga të shtënat me armë zjarri u plagosën dhe 3 miqtë e Nikolinit, si Ilmi Meta, 40 vjeç, Agron Doçi, 41 vjeç dhe Uran Doda, 42 vjeç, punonjës i Ministrisë së Brendshme. Nga të plagosurit vetëm Doda ndodhet ende në spital,  në gjendje të rëndë për jetën.  Fillimisht u mendua se 42 vjeçari kishte mbetur viktimë pasi kishte ndërhyrë për të ndalur sherrin.

HETIME
Strukturat e hetimit dhe të parandalimit të Krimit të komisariatit të Policisë Nr.3 Tiranë si dhe Sektori i Krimeve të Rënda në Tiranë kryen veprimet e para hetimore dhe proceduriale duke grumbulluar e administruar provat. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, po punon për të zbardhur, dokumentuar dhe identifikuar autorët e ngjarjes. Pista kryesore është ajo e hakmarrjes, por nuk përjashtohen pistat e tjera. Nëntë persona janë shoqëruar në cilësinë e dëshmitarit, 6 vajza dhe 3 djem.  Te shtenat me automatik kanë qenë të shumta sa shenjat e plumbave janë vënë re dhe në xhamin e një dyqani pranë tavernës.
(sg/shqiptarja.com)