TIRANË- Një operacion i Krimit Ekonomik të Policisë së Tiranës zbuloi një depo të mbushur me mbi 10 mijë suplemente ushqimore dhe bimore të skaduara e të kontrabanduara, që i përkisnin firmës "Limited Charm", me pronar nga Bosnjë-Hercegovina.
Policia shpalli në kërkim administratorin e subjektit, boshnjakun Jasmin Trebo, ndërsa për dy punonjës të magazinës nisi hetimi në gjendje të lirë. Operacioni që u kodua “Audienca”, u zhvillua pas një hetimi disamujor, dhe rezultoi se produktet, kryesisht kremra bimore dhe çajra, prodhoheshin në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë.
Produktet futeshin ilegalisht në Shqipëri dhe shiteshin përmes reklamave masive në rrjetet sociale dhe webin zyrtar të firmës, ku pakot ofroheshin me çmime standarde të gjitha, 48 mijë lekë. Vlera në total e produkteve të gjetura dhe sekuestruara shkon në 48 milionë lekë. Përveç skadencës të një pjese të tyre edhe në 2023 apo 2024-ën, kishin mungesë totale të pullës së Agjencisë së Barnave dhe Ministrisë së Financave dhe të etiketave në gjuhën shqipe.
Administratori i shpallur në kërkim dhe 2 punonjësit në hetim janë në akuzë për disa vepra penale, nga kontrabanda me mallra të tjera, te ruajtja dhe depozitimi i mallrave kontrabandë, tregtimi dhe transportimi i mallrave të paligjshme dhe fshehja e të ardhurave.
Njoftimi i policisë:
Pas një hetimi me metoda proaktive, kryer në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për të dokumentuar paligjshmëritë që kryheshin në magazinën në kryeqytet, të një subjekti me aktivitet ndërkombëtar në fushën e reklamimit dixhital, u finalizua operacioni i koduar “Audienca”.
Nga kontrolli i ushtruar në ambientet e subjektit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare gjetën dhe sekuestruan aty, mbi 10 000 suplemente ushqimore dhe bimore të skaduara, pa pullën e Agjencisë së Barnave dhe pa atë të Ministrisë se Financave, si dhe pa etiketa në gjuhën shqipe.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u shpall në kërkim administratori i subjektit, shtetasi nga Bosnja dhe Hercegovina, J. T., 53 vjeç, si dhe u proceduan penalisht punonjësit që ishin në ambientet e subjektit, shtetasit J. G., 30 vjeç dhe M. Ç., 26 vjeç.
Punohet për kapjen e 53-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.

Mbi 10 000 produkte, të cilat rezultuan pa pullën e Agjencisë së Barnave, pa pullën e Ministrisë së Financave dhe pa etiketa në gjuhën shqipe janë sekuestruar në Tiranë.
Sipas faqes së internetit të firmës 'Limited Charm' këto produkte të skaduara dhe të kontrabanduara përfshijnë çajra, kapsula e kremra bimorë.
Të gjitha suplementet të cilat ishin edhe në ofertë sipas faqes kapnin vlerën 4800 lekë.
Komente










