Një zjarr i përmasave të mëdha është përhapur rreth orës 18:00 në Daias, në Tiranë.
Report Tv ka siguruar pamjet, ku duket se tymi ka mbuluar gjithë zonën dhe është i dukshëm nga distanca të largëta.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca zjarrfikëse, të cilat po punojnë për ta vënë nën kontroll flakët, bashkë me dy helikopterë të Forcës Ajrore, një Coguar dhe Black Hawk.
Përhapja e flakëve ka qenë aq e shpejtë, duke u favorizuar nga era e fortë, sa në një moment ka rrezikuar edhe jetët e zjarrfikësve që ndodheshin aty për të shuar flakët.
Ndërkohë raportohet se nuk ka probleme për banesat, pasi zona e përfshirë nga flakët është kryesisht me bimësi të dendur dhe shkurre.
Pranë zonës ku ka rënë zjarri, janë aktive edhe dy vatra të tjera zjarri, në Dajt e Priskë, të cilat fatmirësisht janë nën kontroll.
Në Dajt janë 22 forca zjarrfikëse mbi tunelet e Qafë-Mollës dhe 2 helikopterë që po punojnë për shuarjen e flakëve. Nuk dihet nëse helikopterët që kanë shkuar në Daias për shuarjen e flakëve, kanë qenë të njëjtët që po operonin më herët në Dajt.
Lajm për përditësim...
R.Xh/Shqiptarja.com











