TIRANË-Një magazinë pajisjesh shtëpiake në zonën e Brrylit është përfshirë nga flakët pasditen e sotme. Zjarri ka nisur rreth orës 19:15 minuta, ndërsa në vendin e ngjarjes shkuan tre mjete të zjarrfikëses dhe 10 punonjës duke bërë të mundur vendosjen nën kontroll dhe shuarjen e flakëve.
Report Tv ka siguruar një video ekskluzive nga momenti kur magazina u përfshi nga flakët dhe tymi. Një shtëllungë tymi mbuloi hapësirën për disa minuta duke shkaktuar panik te qytetarët. Pas rreth 45 minutash luftë me flakët, punonjësit e zjarrfikëses kanë arritur ta izolojnë duke e shuar zjarrin.
Magazina është me pajisje, kryesisht me frigorifer dhe lavatriçe, pas sinjalizimit kemi nisur tre automjete, stacionin e Kinostudios, 21 Dhjetorit dhe automjete për ti furnizuar me ujë. Arritëm shumë shpejt, izoluam flakët, pavarësisht disa dëmeve, shumë pajisje janë shpëtuar nga ndërhyrja e shpejtë. Në vendin e ngjarjes ndodhet shefi i sektorit, kemi marrë kontakt me pronarët, shkak i zjarrit mund të ketë qenë një shkëndijë elektrike.
Shkëlqim Goxhaj
Drejtori i Zjarrfikëses duke folur për vështirësitë e lëvizjes, u bëri thirrje qytetarëve që të mos parkojnë automjetet në sheshet e pallateve dhe në rrugë.
Shtrirja e stacioneve na bën të mundur të arrijmë në kohën e duhur në vendin e ngjarjes. Kemi stacione të zjarrfikëses në disa zona në Tiranë dhe sot stacioni i Kinostudios arriti më shpejt se 5 minuta. Jo cdo gjë është perfekt sepse ka trafik sidomos në mëngjes, por edhe pasdite nga ora 16:00-18:00. Ne jemi në kontakte edhe me komunitetin. Sheshet dhe rrugët duhet të lihen bosh, qytetarët të mos parkojnë makinat, pasi edhe në bllokun më të largët makinat duhet të vendosen në parkim për të shmangur bllokimet
Shkëlqim Goxhaj