'Titosllavët më dënuan me 14 vite burg, unë u arratisa në Shqipërinë moniste'! Rrëfimi i aktivistit Shefqet Kryeziu në 'Esencë'

I fituari i radhës në Esencë nga Eljan Tanini në Report Tv është Shefqet Kryeziu. Ai i përket elitës së shqiptarëve të Kosovës të cilët kanë guxuar të kundërshtojnë politikat shoviniste serbe. Shefqet Kryeziu arratiset në Shqipërinë moniste. Por cili ishte fati i tij këtu?

Tanini: -Pse erdhet në Shqipëri kur ne kishim hallet tona politike?

Shefqet Kryeziu: -Kam qenë 23-24 vjeç kur u arratisa për në Shqipëri. Janë arratisur rreth 30 vetë nga viti 1981 deri në vitin 1983. Kufrin e kam kaluar më 15 Maj të vitit 1982. Ishte jashtëzakonisht shumë ftohtë, binte borë dhe shumë shi. Në Gjakovë më solli një shok me makinë, unë nuk i tregova shumë gjëra, atij më pas i ngeli hatri kur e mori vesh historinë time. Unë nuk besoja në atë kohë te askush. Kur do të kaloja kufrin terreni ishte i panjohur për mua. Kam fjetur në mal jashtë në shi e në borë, e kalova kufirin diku në pesë të mengjesit. Ushqim fare, vetëm cigare dhe një gazetë me vete. Kisha edhe një pistoletë dhe thikë për siguri. Hasa rrugës në një çoban, ai dyshoi te unë. Ishte frikë e madhe të kaloje kufirin. Kemi qenë dhe jemi familje atdhetare, të lidhur me Kosovën. Kam shkruar edhe një libër për familjen tonë, bashkë me zonjën Rovena Shuteriqi. Ikja ime nga Kosova i zbuloi më shumë vëllezërit e mi, unë kam qenë koordinator i dy grupeve të fshehta.

Tanini: -Pse u dënuat ju?

Shefqet Kryeziu: -Shpërndanim trakte, aksione ndaj policies. Kosova Republikë! Kosova punon, Beogradi ndërton! Gjyshi ishte njeriu i fundit me të cilin u ndava. Ai më tha: -Hajde mos u vono! Atij sikur ia ndjeju zemra diçka prej meje, diçka që do të bëja unë. 2 netë e tre ditë zgjati vajtja për në kufi.

Tanini: Si e kaluat kufirin?

Shefqet Kryeziu: -Nga Shqipëria kishte tela me gjemba dhe kanoçe që bënin zhurmë. Telat me gjemba ishin problem, ishin me tasa konservash, e kur bie keq në tel, ato bënin zhurmë. Në fillim në Shqipërinë moniste arrita në Fshatin Zogaj. Islam Brahimi në Zogaj më hapi shtëpinë, më mbajti me rrobat e fëmijëve, më dha bukë, mjaltë, kafe e raki. Rakia më dukej ujë. Të nesërmen më nxorën përpara fshatit. Aty njerëzit qanin me mua se kishin të afërmit e tyre në Kosovë. Oficeri ku më dorëzuan nuk më priti mirë si fillim. Oficerin më pas e kam takuar në Durrës. Nuk kisha frikë se çfarë do të ndodhte me mua. Edhe asfaltin në Shqipëri e kam menduar se ishte kuq e zi dhe jo me vija të bardha! Atë natë në kufi kanë dalë edhe 4-5 veta të tjerë. Si fillim na sollën në Tropojë te Dega e Brendshme, aty na morën në pyetje. Ai që na pyeste ishte ushtarak. Oficeri i policisë më pyeti për Osman Gashin dhe Gani Veselin. Kanë qenë intelektualë që njiheshin mirë  te ne. Pas Tropojës na sollën në Laç te Kulla e Prenk Previzit, qëndrova 17 ditë. Te Kulla e Prenk Previzit na merrnin në pyetje, atje në Laç qëndruam për disa ditë

Tanini: -Kush ju ka marrë në pyetje atje?

Shefqet Kryeziu: -Më kanë marrë në pyetje Sali Shatri, Shaban Braha dhe Remzi Dema, të tre kosovarë me origjinë. Më pyesnin për çdo gjë. Disa nga ne janë kthyer pas, janë kthyer shumë në Kosovë kur arratiseshin për në Shqipni

Tanini: -Si i binde që ti deshe të rrije këtu dhe nuk ishe diçka tjetër?

Shefqet Kryeziu: -Une këtë fakt e kam argumentuar. Vajza ime quhej Elbasane, prandaj zgjodha edhe të shkoja në Elbasan pasi na ndanë të gjithëve në disa qytete. Kam studiuar te Universiteti Aleksandër Xhuvani, jemi trajtuar shumë mirë. 4200 L ishte bursa për mua, kishim edhe shumë të mira të tjera. Zgjodha të bëhesha mësues sepse baba im kur nisi të bëhej mësues, serbët nuk ia dhanë diplomën. Pas fakultetit më çuan në Kuçovë, atje ku kishte nevojë Atdheu. Më pas qendrova për shumë kohë në Durrës

Eljan Tanini: -Si i rilidhët kontaktet me familjen?

Shefqet Kryeziu: -Unë një letër merrja në vit, vitin e fundit merrja vetëm 2 letra. Duhet të bëje kërkesë në shtet që ata të flisnin me Jugosllavinë disa muaj përpara, 6 muaj përpara. Serbët, sigurimi, e morën babën në bisedë informative në Pejë për mua. Baba u tha se djali do Zoti është në Hëne, e jo në Shqipni. Po të jetë në Hënë do të korruptoj dike që ta shoh, nëse është në Shqipni është vdekje! Nuk shkoj dot me e pa. Baba im nga malli që kishte çdo ditë shkonte e merrte ujin në pus dhe e hidhte në Drinin e Bardhë duke i thënë ujit: -Hajd o ujë, bëji të fala djalit. Sepse po ai ujë do të shkonte më pas në Adriatik. Familjes sime në Kosovë i vajti letra vitin e dytë. Vajzën time Elbasanen, një ditë mësuesi e mori mënjanë në orën e mësimit. Mësuesi i dha asaj letrën që kisha nisur unë, ajo e la mësimin dhe u nis me vrap për në shtëpi. Vjen lajmi i mirë që më në fund jam gjallë!

Tanini: -Si lidheni në rrugë telefonike me familjen?

Shefqet Kryeziu: -Pas 6 muajsh kërkese flas me familjen. Halil Gashi, Nargim Bega, Besa Myftiu dhe unë u nisëm për në Tiranë për te posta në qendër të Tiranës. Vajtëm në Tiranë për të folur me familjen, në Postën Qendrore, Kabina nr 5. Në Kosovë, atëherë në rrugë njerëzit nuk i flisnin babës. Mjeku Sefer Mane i thotë Babës se do të vish në shtëpinë time të flasësh me djalin sa herë të duash. Atje fola me babën për herë të parë në telefon. Atje ishin babai, nëna, gjyshi dhe komplet familja. Babës i thashë që po flas nga shtëpia, ai çuditej se përse posta po fliste për minutat që dëgjoheshin në sfond! Zonja e sportelit nga posta më tha që telefonata juaj është paguar, unë më pas e kuptova nga kush! Telefoni ishte i përgjuar! E kishte paguar sigurmi. Vite më pas takova në Hotel Adriatik oficerin që kishte përgjuar telefonin, bisedën. Ai më foli vetë në Hotel Adriatik. Nëna ime erdhi për herë të parë të më takonte në Shqipëri, edhe dita u caktua. Nga përtej kufirit ishin njerëzit e mi, këtej kaloi vetëm nëna. Nëna nuk më njohu, as unë nuk e njoha atë. Nëna ishte plakur 15 deri në 20 vjet më shumë. Kur nëna e kuptoi që isha unë i ranë të fikët. Kur ishim në kufi, babgjyshi kishte marrë qeleshen, e çonte lartë me shkopin e tij që unë ta dalloja. Nëna ndenji dy muaj në Shqipëri, në Durrës. Për dhëmbët e nënës pagova vetëm një kafe. Fëmijët e mi quhen: Arsim, Vjosa, Elbasane, Agim, Prizren, Albania dhe Drenica. Në diktaturën e egër shqiptare kam njohur njerëz të jashtëzakonshëm.

E.T/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Rezultati në Shkodër nëse do votohej sot, garë e fortë PD-PS, socialistët më të preferuar në Shqipëri, demokratët në emigracion

Sondazhi/ Rezultati në Shkodër nëse do votohej sot, garë e fortë PD-PS, socialistët më të preferuar në Shqipëri, demokratët në emigracion