Një 53-vjeçar shqiptar ka vrarë me thikë bashkëshorten e tij 44-vjeçare në Rodopi të Greqisë dhe më pas ka tentuar t’i japë fund jetës duke pirë benzinë.
Çifti shqiptar kishte tre fëmijë, dy prej të cilëve të rritur dhe një 16-vjeçar. Krimi ndodhi brenda banesës së familjes në zonën e Dialampit, ndërsa ishte një prej fëmijëve që njoftoi autoritetet.
Pas vrasjes së bashkëshortes, 53-vjeçari piu benzinë në tentativë për t’u vetëvrarë. Ai u transportua në spital, ku vijon të marrë trajtim mjekësor.
Në banesë, policia gjeti dhe sekuestroi dy thika, të cilat do të ekzaminohen në kuadër të hetimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sipas mediave greke, çifti kishte pasur probleme edhe më herët. Në vitin 2022, kur ndodheshin në Heraklion të Kretës, 44-vjeçarja kishte denoncuar bashkëshortin për kanosje. 53-vjeçari ishte arrestuar për këtë rast, por më pas është liruar.
Vrasja ka ndodhur vetëm 3 ditë pasi një tjetër shqiptar, Altin Allmuça vrau me armë zjarri ish-partneren Julieta Obzova, shqiptare, dhe më pas u vetëvra.






Komente
Komento