Tokat bujqësore, ligj i ri
për të marrë tapitë

Tokat bujqësore, ligj i ri<br />për të marrë tapitë
Pas tre vjetësh verifikimesh të titujve të pronësisë në zonat rurale, ende nuk ka mbaruar regjistrimi përfundimtar i tokës bujqësore, për arsye se, kryesisht në zonat malore e kodrinore, pas vitit 1990, tokat janë ndarë me mirëkuptim, sipas kufijve të vjetër, por pronarët nuk janë pajisur me vërtetim sipas ligjit 7501. Kështu, ata nuk mund ta regjistrojnë tokën e tyre. Shqyrtimi i vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore po kryhet prej 3 vjetësh në vendin tonë. Komisionet vendore të verifikimit të titujve të pronësisë janë ngritur e po funksionojnë pranë prefektëve të secilit Qark. Por, edhe 22 vjet më pas fillimit të procesit të kthimit të pronës, situata mbetet e bllokuar. Për regjistrimin përfundimtar të tokës bujqësore, është menduar të pajisen këta pronarë, që përfaqësojnë dhjetëra mijëra familje, me vërtetimet përkatëse, që do t'u mundësonin regjistrimin e pronës në kadastër.
Komunat
Ligji i ri parashikon që kryetarët e komunave apo bashkive, në ato raste kur komisioni i ndarjes së tokës bujqësore nuk ka plotësuar aktet e marrjes së tokës në pronësi, në fshatrat e ish-kooperativave bujqësore, t'i plotësojnë ato për familjet bujqësore ose individët që janë subjekte ligjorë të trajtimit me tokë bujqësore në pronësi, sipas ligjit nr. 7501, datë 19.07.1991 "Për tokën", dhe që faktikisht e përdorin këtë tokë bujqësore. Realizimi i dhënies të titujve të pronësisë i fut këto prona në qarkullim civil duke u dhënë subjekteve mundësinë t'i përdorin e shfrytëzojnë ato, si pronarë me të drejta të plota.
Përjashtimet
Nuk do të lejohet të plotësohen aktet e marrjes në pronësi të tokës në disa raste. Kështu, kjo nuk mund të ndodhë kur toka bujqësore rezulton e regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme si pronë private. Po kështu, kur toka bujqësore rezulton e përfshirë në proçesin e legalizimeve, apo është dhënë në pronësi nëpërmjet një akti të mëparshëm, të lëshuar deri në datën 15 gusht të vitit 2008 nga komisionet e ndarjes së tokës, pavarësisht nëse është regjistruar ose jo në regjistrin e pasurive të paluajtshme. Përjashtohet, gjithashtu, lëshimi i aktit të pronës kur toka bujqësore është objekt i një konflikti gjyqësor dhe komuna apo bashkia është vënë në dijeni zyrtarisht nga gjykata.
Afatet
Për të mos e zvarritur pafundësisht plotësimin i akteve të marrjes së tokës në pronësi, është propozuar që proçesi të përfundojë brenda një viti nga data e hyrjes në fuqi të akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji, që duhet të përgatiten nga ana e qeverisë. Ligji duhet të kalojë në procesin e diskutimit nga Kuvendi para se të miratohet.

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Shtetet e pasura zotohen të japin për 300 miliardë dollarë në vit për vendet në zhvillim që përballen me efektin e ndryshimeve klimatike

Shtetet e pasura zotohen të japin për 300 miliardë dollarë në vit për vendet në zhvillim që përballen me efektin e ndryshimeve klimatike