Toleranca fetare, Meta: Ne jemi
model për shumë vende s’ia dalin

Toleranca fetare, Meta: Ne jemi<br />model për shumë vende s’ia dalin
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në punimet e Komitetit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku temë aktiviteti ishte toleranca dhe bashkëjetesa fetare. Meta shprehu vlerësimin e tij që ky aktivitet zhvillohet në Tiranë, duke theksuar se Shqipëria është modeli i bashkëjetesës fetare.

Meta e cilësoi si një vlerë kombëtare harmonin fetare që ekziston në Shqipëri duke shtuar se: “Ne shqiptarët kemi një fat të madh të trashëguar nga gjeneratat e mëparshme dhe që padyshim do t’ua lëmë si trashëgimi edhe gjeneratave në të ardhmen. Ne jemi dëshmia dhe modeli, jemi prova dhe jetësimi i mundësisë së asaj që për fat keq në vendet e tjera ngjan e pamundur apo shumë e vështirë. Shqipëria dëshmon se të krishterët dhe të myslimanët mund të jetojnë të lumtur me njëri tjetrin. Mund ta pranojnë njëri tjetrin. Mund të ndërtojnë të nesërmen e përbashkët me njëri-tjetrin. Mund të martohen dhe të krijojnë familje të qëndrueshme dhe të lumtura, ndoshta fëmijët e tyre të zgjedhin besimin që dëshirojnë. Në këtë aspekt, Shqipëria është një shembull i shkëlqyer i tolerancës dhe i harmonisë fetare. Aq më shumë bëhet e dukshme një gjë e tillë kur kemi parasysh se vendi ynë ndodhet në Ballkan. Në këtë gadishull, pjesë të pandarë të Evropës, por dhe vendi që ka krijuar dhe shkaktuar shumë andralla vetes dhe Evropës me përplasjet dhe konfliktet që kanë ardhur për shkak të etnive të ndryshme, besimeve të ndryshme dhe gjuhëve të ndryshme”, - nënvizoi Kryetari i Kuvendit.

Meta u ndal në fjalën e tij edhe tek situata ekonomike dhe politike në vend duke thënë se harmonia fetare që ekziston në Shqipëri duhet të jetë një model edhe për harmoninë politike që duhet të ketë vendi ynë. “Ne në Shqipëri kemi ende shumë sfida përpara. Të qenit ende një vend i varfër dhe me probleme ekonomike është një sfidë e rëndësishme që ne duhet dhe do ta përballojmë por nga ana tjetër ne kemi arritur të fitojmë një sfidë e jashtëzakonshme me të cilën përballet sot e gjithë bota. Bashkëjetesën në diversitet edhe për shkak të besimeve të ndryshme fetare. Do ta konsideroja tolerancën, bashkëjetesën dhe harmoninë fetare si një arsye më shumë gjithashtu edhe për të qenë modest dhe kokulur si besimtarët në faltore dhe e vetmja mënyrë që vjen nga e shkuara për t’iu drejtuar të ardhmes me punë dhe përulësi. Në Shqipëri nuk ka pasur asnjëherë probleme me radikalizmin fetar, por për fat të keq ne kemi patur dhe ende kemi disa probleme me radikalizmin politik. Ndaj toleranca dhe bashkëjetesa mes të ndryshmëve në besim apo edhe në politikë është një sfidë. Ne sfidën e parë e kemi fituar dhe bazuar tek ajo që është një shembull i mrekullueshëm për shoqërinë tonë, besoj që do ta fitojmë edhe sfidën e dytë. Sepse ekstremet dhe radikalizmi i çfarëdolloj aspekti është mjaft i rrezikshëm dhe këtë e dëshmojnë të gjitha zhvillimet e fundit në botë apo edhe në rajone pranë nesh dhe për ta fituar këtë bashkëjetesa është sfida jonë në të gjitha drejtimet”, - përfundoi fjalën e tij Kryetari i Kuvendi.

Të pranishëm në këtë takim ishin Nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, pjesëmarrës nga 47 vendet anëtare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, deputet të Kuvendit të Shqipërisë dhe përfaqësues të komuniteteve fetare në vend. Pjesë e kësaj bisede u bënë edhe katër përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri, atij Katolik, Ortodoks, Mysliman dhe Bektashi të cilët vlerësuan harmoninë fetare në Shqipëri.
 
 
Leskaj
“Natyrisht që askush nuk është i imunizuar nga risqet, në këto kohë të vështira kur harmonia fetare merr një vlerë të veçantë e duhet bërë gjithçka që ta ruajmë e zhvillojmë këtë pasuri të çmuar”.
 
Klosi
 “Unë besoj se “Dialogu Ndërfetar është i domosdoshëm sot dhe hapi i parë për vendosjen e tij është respekti dhe stimulimi reciprok i shoqëruar me përpjekjet e përbashkëta në rrugën e së drejtës”.


  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Kaosi dhe zjarri para Parlamentit, Kuvendi: Deputetët shkaktarë do paguajnë dëmin, do u mbahen nga paga! Karriget të paguara me taksat e qytetarëve, jo të tyret!

Kaosi dhe zjarri para Parlamentit, Kuvendi: Deputetët shkaktarë do paguajnë dëmin, do u mbahen nga paga! Karriget të paguara me taksat e qytetarëve, jo të tyret!