Pas përfundimit të seancës plenare, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, dha një prononcim për gazetarët ku foli mbi incidentin e ndodhur në Kuvend gjatë diskutimit për ligjin e barazisë gjinore.

Gogu e cilësoi gjuhën e përdorur nga kryetari i opozitës si “stigmatizuese dhe të papranueshme”, duke kërkuar në emër të Kuvendit dhe të shqiptarëve ndjesë ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian. Ai theksoi se ligji i miratuar nuk është akt ideologjik, por një hap i rëndësishëm drejt përafrimit të Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian.

Deklarata e plotë e Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu për gazetarët,pas përfundimit të seancës plenare

Një seancë që kulmoi me një incident jashtëzakonisht të rëndë, që në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe  të gjithë shqiptarëve dua t'i kërkoj falje ambasadorit të Delegacionit të Bashkimit Europian, Komisionit Europian dhe të gjithë europianëve për atë gjuhë stigmatizuese ndaj ambasadorit të tyre, për shkak të cilësive të tij personale, nga kreu i opozitës që në fakt nuk ishte asgjë tjetër por ishte kulminacioni i ideologjisë së re. Pra nëse kishim sot një ligj ideologjik ishte versioni që Partia Demokratike solli, duke u përpjekur që të luajë me frikërat e njerëzve.

Gazetari: Z.Berisha kërkoi ndjesë...

Dhe nëse ju shikoni sjelljet, nuk e di  besoj, ndjesa zakonisht ndodh me veprime, dhe do ishte shumë mirë që në emër të të gjithëve ne të na hiqte atë njollë turpi që na u vendos sot. Ligji për barazinë gjinore është një ligj, i cili na përafron me 10 direktivat e Bashkimit Europian.

Ai ligj nuk është ideologji, ai është një akt tërësisht i pastër ligjor që është në zemër të së drejtës europiane. Dhe kur flet për barazinë gjinore, flet për barazinë burrë-grua, dhe ky është ligji që sot ka kaluar në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, natyrisht duke mbrojtur nga diskriminimi çdo njeri, i cili për shumë arsye nuk mundet të mos mbrohet nga shteti shqiptar, qoftë kjo gjini, qoftë kjo racë, qoftë prejardhja, qoftë arsim dhe shumë gjëra të tjera.

Por kryesore, ai ligj sjell barazi midis burrave dhe grave në pagat e tyre, në vendin  tyre në qeverisje, në përfaqësimin e tyre në shoqëri, në arsim, në çdo gjë. Pra, ne jemi një shoqëri që vjen nga një e kaluar patriarkale dhe na duhet që patjetër, ashtu siç po ndodh në të gjithë shoqërinë shqiptare, kemi bërë një super udhëtim dhe ju e shikoni rolin e grave në qeverisje. E shikoni rolin e grave në ligjbërje, e shikoni rolin e grave në biznes, në akademi, që do të thotë se duhet ta mbrojmë me të gjitha mekanizmat këtë vlerë europiane që tashmë është ulur këmbëkryq në Shqipëri.

Të gjitha akuzat që ky ligj "shpik gjini të reja" që nuk mund të bëhen për këtë ligj, ky ligj i hap rrugën lloj-lloj fantazive. I garantoj të gjithë shqiptarët që sot ne kemi miratuar një ligj, i cili na sjell më afër me Bashkimin Europian, përfaqëson më mirë vlerat shqiptare përsa i përket kësaj që ne kemi arritur në barazinë burrë-grua.

Gazetar: A është konsultuar mjaftueshëm ky ligj dhe çfarë përgjigje keni për ata që kanë protestuar gjatë ditës së sotme? 

Gogu: Unë mendoj që protesta është një e drejtë themelore kushtetuese e Republikës së Shqipërisë dhe mendoj se ata qytetarë janë duke ushtruar të drejtën e tyre.

Ajo që mund t’ju them është se, nëse mes tyre ka nga ata që ndajnë të njëjtat bindje me mua, që gjinia është mashkull dhe një femër që bindje të tilla ne nuk mund t'i detyrojmë, bindje që vijnë nga besimi nga botëkuptimi, nuk mund të detyrojnë shtetin që të mos mbrojë përmes ligjit administrativ. 
Pra, për të gjithë ata besimtarë, ne e dimë shumë mirë që kulminacioni i ligjit është dashuria. Dashuria e plotëson ligjin. Kjo është edhe porosia që na ka lënë Shën Pali, të cilën miqtë e mi ndonjëherë e marrin si shembull për të mbrojtur patriarkalitetin – atë gjë të cilës ne i kemi thënë lamtumirë në shoqërinë tonë. Dhe sot i thamë lamtumirë edhe me ligj.

Kurse kjo historia tjetër e re e diskriminimit gjinor duhet të marrë fund. Unë besoj që duhet vërtet t’i thërrasim arsyes dhe të bëjmë një kërkim shpirtëror, për shkak se unë besoj e dyert e para që duhet të jenë të hapura janë dyert e kishave dhe xhamive për ata njerëz që duan të vijnë, të takohen me Zotin dhe duhet që të pajtohen me të. Aty mund të gjejnë mënyrën për të transformuar sjelljet e tyre.

Por nuk mundet që bindjet fetare t’i kthejnë në armë politike, nuk mund t’u bien njerëzve me Bibël apo me Kushtetutë, me Kuran apo me Kushtetutë si çekan. Jo, me Bibël dhe me Kuran ne i duam njerëzit, por me ligj i mbrojmë. Kjo është logjika e gjithë gjësë. 

Ndërkohë, Partia Socialiste do të vazhdojë aksionin e madh të integrimit europian, i cili ju do të shikoni që seancat do të jenë edhe më të gjata për shkak të paketës së ligjeve është e tillë që ne nuk kemi asnjë sekondë për të humbur për t’u bashkuar me familjen europiane.

Kështu që edhe në javët në vazhdim, përveç diskutimit të buxhetit, do të vijnë një shumicë ligjesh të Bashkimit Europian që do të bëhen pjesë e korpusit tonë ligjor.

Gazetar: Pse nuk pranuat debati i sotëm por kaloi direk në votim?

Gogu: Ne pranojmë debate, e keni vënë re, në çfarëdolloj forumi, në çdo shesh publik, në çdo studio, për aq kohë sa debati është qytetar dhe Kuvendi i Shqipërisë nuk kthehet në një tribunë anti-europiane.

Kjo është arsyeja: Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të vazhdonte të kthehej në një tribunë ...

Deklaratën e zotit Berisha e dëgjova me vëmendje. Nuk kishte asnjë pikë ndjese, sepse jo vetëm që nuk u tërhoq nga diskriminimi i orientimit seksual, por hyri edhe në diskriminimin e shëndetit mendor.

Donte të shfajësohej “Jo, nuk fola, më ngatërrove binaritetin me bipolaritetin.” Pra, nga diskriminim seksual, shkoi në diskriminim të shëndetit mendor. Mos më bëni të flas më shumë në fund të kësaj dite të ngjeshur për një njeri që është recidivist kur vjen puna te diskriminimi. Faleminderit.


Lajmi kryesor:

Miratohet me 77 vota pro projektligji për barazinë gjinore! Berisha sulmon Gonzaton: S'mund të na imponojë bindjet e veta! Deputetët e PS priten jashtë me protesta