Tonino Lamborghini viziton Tiranën: Shqipëria me mundësi të mëdha për turizmin! Rama: Kur Zoti e krijoi ishte e dielë

Tonino Lamborghini trashëgimtari i Ferruco Lamborghini, themeluesi i perandorisë industriale në fushën e mekanikës dhe automobilave luksoze vizitoi përherë të parë Tiranën me ftesë të kryeministrit Edi Rama

Në podcastin me kryeministrin Rama, Tonino Lamborghini nuk fsheh befasinë me të cilën u përball kur erdhi në Tiranë. Nuk la pa komentuar dhe kryeministrin Rama.

Unë erdha këtu dhe mbeta jashtë mase i befasuar nga modernizmi, nga pastërtia, nga eleganca e ndërtesave të reja dhe nga ruajtja e pjesës historike të vendit tuaj. Unë e dua shumë historinë, dua shumë arkitekturën.

Qyteti juaj është i mrekullueshëm. Ka një mikpritje që ju, pastaj, e përcillni, sepse, zakonisht, kryeministri përfaqëson një popull dhe nëse ai është i sertë, i mbyllur, fodull, nënkupton që, me gjasë, edhe vendi, edhe populli ka këtë lloj mbylljeje.

Duke pranuar komplimentet me batutë Rama i tregon se jo të gjithë ndajnë të njëjtin mendim  

Që t’u pëlqesh të gjithëve o duhet të kesh vdekur, o duhet të jesh i vdekur për gjumë. Po të punosh, po të marrësh vendime, po të përpiqesh t’i vësh gjërat në lëvizje, sigurisht, nuk duhet as ta pretendosh që t’u pëlqesh të gjithëve.

Tonino Lamborghini është befasuar nga siguria që të ofron Tirana dhe thotë se për Shqipërinë duhet folur më shumë

“Mendoj se duhet folur shumë më tepër për Shqipërinë. Besoj që duhet bërë, sepse vendi juaj është shumë i bukur, është shumë i ngjashëm me temperamentin dhe karakterin miqësor italian dhe është për të ardhur keq që njerëzit mendojnë se Shqipëria është ende një vend, ku të thonë, “ki kujdes, kujdes”. Po ç’kujdes! Me kujdes shkoj në Milano, me kujdes shkoj në Napoli, kurse, vij këtu dhe mund të lëviz rehat.

Gjithçka është e pastër, në vendin e vet, pa zhurmë. Urime! Urime juve që e drejtoni prej shumë vitesh këtë vend dhe unë e di, sepse informohem, që populli ka shumë vlerësim, shumë konsideratë për ju dhe ju e keni ngritur këtë vend, e keni ngritur në atë pikë që sot është në pozitën për të bërë dialog me vende të cilat kanë historikisht një traditë më të thellë. Nuk është tamam epiteti i duhur. Kështu që, nuk mund t’ju them dot tjetër përveçse “bravo”.

Përshtypje i kanë bërë dhe të rinjtë në Tiranë

"Ndërsa shëtis në qytetin tuaj, gjë që nuk e bëj vetëm këtu, por kudo shkoj në botë, unë shoh të rinjtë, shoh pastërtinë. Në qytetin tuaj, nuk pashë shkrime në mure. Muret janë të pastra, të padëmtuara. Po të vëresh të rinjtë, sheh që janë të gjithë të rregullt, të pastër, të veshur me kujdes. Nuk veshin xhinse të diskutueshme, dua të përdor këtë fjalë" komentoi Lamborghini

I surprizuar nga Shqipëria Lamborghini nuk fshehu dëshirën për të investuar pasi ka ‘mundësi të mëdha për turizmin”

Qe një surprizë e jashtëzakonshme. Është kaq e vërtetë kjo, sa kam dëshirë të marr pjesë, qoftë edhe me diçka të vogël, shumë të vogël, në këtë fluturim që keni marrë tashmë, sepse, për fat të keq, e keni marrë ndërkohë, kështu që, para se të jetë shumë vonë, do të doja sikur edhe pak, fare pak të vendosja... tha Lamborghini

Lamborghini po zgjeron markën drejt biznesit të hotelerisë që ‘ne këtu në Shqipëri na intereson’ tha Rama

Edi Rama: Ka edhe zona fantastike me natyrën, detin, malet. E them gjithmonë, mendoj se kur Zoti ka krijuar Shqipërinë, ka qenë e diel, ditë pushimi, ka marrë gjithë kohën për të hedhur në 28 mijë kilometra katrorë, në një telajo të vogël, gjithçka: lumenj, male, kodra, dy dete dhe pastaj liqene nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, pastaj vende të tjera në brendësi që janë mbresëlënëse. Ka kaq shumë për të bërë në Shqipëri, që, në disa aspekte, është pak si Italia e gjyshërve tuaj, me mangësitë, po edhe të mirat.

 Tonino Lamborghini:  Nuk e mohoj që, nëse kjo gjë bëhet, duhet të kem se s’bën një apartament për vete dhe për fëmijët, patjetër. Unë nuk jam më shumë i ri, por vazhdoj të udhëtoj shumë e, pastaj, kam shumë fëmijë. Pse të mos i njoh me një tokë që është ende për t’u eksploruar? Është e shëmtuar ta thuash kështu “ende për t’u eksploruar”, po për hir të Zotit...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:00
Djali i themeluesit të Lamborghini tregon përplasjen historike me Ferrarin: Nga prodhimi i traktorëve tek makinat luksoze

I ftuar në podcastin “Flasim” me kryeministrin Edi Rama ishte pronari i Lamborghinit, Tonino Lamborghini.

Ai ka treguar se si babai i tij i cili prodhonte traktorë, kaloi në prodhimin e Lamborghinit.

Shkak kryesor i ndërtimit të fabrikës ku filluan të prodhoheshin Lamborghinit u bë Enzo Ferrari. Babai i tij përdorte Ferrari dhe kur motori i makinës pati problem, shkoi tek Enzo Ferrari dhe i tha që “ka diçka që nuk shkon me makinën dhe mund ta ndihmojë ta rregullojnë bashkë”.

Enzo Ferrari u soll keq me të dhe me mendjemadhësi i tha “si të më japë mend mua një që prodhon traktorë?” Kjo gjë nxiti Lamborghinin të hapte fabrikë dhe të bëhej një konkurrent i fuqishëm i Ferrarit.

Historia është kthyer në kult edhe të kinematografisë, të historisë bashkëkohore, letërsisë, kujtesës.

Edi Rama:  Ka një moment që e cekët, që është episodi i famshëm i çelësave, po ka edhe një tjetër moment që keni përjetuar dhe është kthyer në një kult edhe të kinematografisë, të historisë bashkëkohore, letërsisë, kujtesës, në të cilin babai juaj, Ferruccio Lamborghini, i cili prodhonte traktorë, por që përdorte një Ferrari, shkon te kolosi tjetër tejet dominues i asaj kohe, Enzo Ferrari dhe i thotë, “ka një gjë që nuk shkon te motori i veturës suaj dhe unë mund t’ju jap një dorë”, pa ia marrë mendja kurrë se nga ai takim do të lindte një tjetër ekselencë italiane, që ishte dhe vazhdon të jetë Lamborghini. Enzo Ferrari iu soll keq, u soll, le të themi, me mendjemadhësi, duke thënë “si të më japë mend mua një që prodhon traktorë?

Tonino Lamborghini:  Ti nuk di t’u japësh makinave të mia, shko drejto traktorët e tu.

Edi Rama:  Ai, më pas, kthehet në shtëpi dhe ju ishit dëshmitar i këtij momenti.

Tonino Lamborghini:  Shumë i inatosur. Ishim ulur në tryezë, po hanim tagliatelle-t dhe i thotë nënës: “Anita, më duhen një miliard lira”. Në atë kohë ishte një vlerë e stërmadhe. Nëna, i kthehet dhe i thotë: “Ferruccio, po çfarë do bësh me një miliard lira?” “Ferrari më trajtoi keq. Në fund të fundit, i kam blerë dy Ferrari. Unë prodhoj 52 traktorë në ditë, ai le të jetë prodhues i makinave të garave, po unë mbaj në punë një mijë punonjës të brendshëm, plus të jashtmëve. Pse më trajtoi kështu?! Ia tregoj unë atij!” Nëna ime u trondit, ku të shkonte t’i gjente një miliardë lira të kohës? I thotë: “Nuk i kam, po edhe po t’i kem, më duhen për të çuar përpara kompaninë”. “Duhet të m’i gjesh!” i thotë.  Më në fund, ia pret: “Sa shpenzojmë për reklama?” Asokohe, Italia ishte e veshur në çdo cep me tabela në rrugë, ku shkruhej: “Traktorë “Lamborghini”, Traktorë “Lamborghini”, Traktorë “Lamborghini”. Edhe sot mund t’i shohësh të braktisura nëpër rrugët e fshatit në Campania. I thotë: “Po, shpenzojmë shumë, shpenzojmë ndoshta një miliard lira”. “Mirë, kur të skadojnë kontratat, ti mos i përsërit. Paratë m’i jep mua. Unë do i bëj konkurrencë Ferrarit. Do hap një fabrikë dhe, nëse ecën mirë, do kem më shumë përfitim në imazh sesa do të kisha me tabelat e reklamave”. Dhe kështu ndodhi.

Edi Rama:  Gjeniale.

Tonino Lamborghini:  Goxha guxim, edhe goxha guxim.

Edi RamaIdetë gjeniale kanë nevojë për guxim, apo jo? Nuk bëhen kot.

Tonino Lamborghini:  Menjëherë, u vu në kërkim të tre inxhinierëve më të famshëm. Ishin të gjithë shumë të rinj, sapo kishin mbaruar universitetin. Punonin te Ferrari dhe Maserati. E bëri menjëherë. Dërgoi një mik për të parë terrenin dhe i tha: “Shko dhe m’i sill këtu!” Tani, pse qe e lehtë t’i merrje që andej? Nuk është kaq e lehtë të marrësh një të ri nga Ferrari apo nga Maserati apo jo? Karta fituese ishte se Lamborghini kishte treguar tashmë se dinte të prodhonte traktorë, kishte një biznes që zhvillohej prej vitesh, një kompetencë teknike, teknologjike dhe, mbi të gjitha, një sipërmarrje që kishte cilësinë më të lartë të makinerive dhe kërkimit mekanik. Tani, t’i thuash një inxhinieri, “eja me mua, të të tregoj atë që po bëj”, i jep një lloj entuziazmi. Për më tepër, duhet të marrim parasysh se Maserati i asaj kohe ishte pak i lodhur, nëse më lejoni të përdor një term të papërshtatshëm. Enzo, po, nuk kishte ndonjë karakter të lehtë, bënte zotërinë e padronin në të gjitha kuptimet. Kështu, im atë ia doli t’i merrte sa hap e mbyll sytë, duke iu thënë, “dua një makinë. E dua kështu, kështu, kështu dhe kështu.” Pra, nuk tha: “Më bëni një makinë, por e dua me këto veçori. Dua katër cilindra motori, ndezje e dyfishtë, 12 karburatorë. Dikur, të gjitha makinat, Ferrari, Maserati, AstonMartin, kishin balestra. Tani, çdokush që ka një moshë të caktuar e di që makinat, rrëshqitnin dhe dilnin nga kthesa, sepse, me balestër, makina kërcente përpjetë. Të sillje rrotat e pavarura, që sapo kishin nisur të shiheshin në Formula 1, ishte një hap i madh përpara. Kjo ishte arsyeja se pse, me këto ide shumë të qarta, këta inxhinierë të rinj u mbushën me entuziazëm të madh dhe gjithçka mori udhë me shpejtësi.Mendojeni pak që, për nëntë muaj, nëntë muaj, u prezantua prototipi i parë funksional. Sot, për nëntë muaj nuk bën dot asgjë.

Edi Rama:  A reagoi Enzo Ferrari për këtë?

Tonino Lamborghini:  Natyrisht që jo, përveç një rrëfimi të bërë me një gazetar të madh të kohës, i cili quhej Gino Rancatti… Gino Rancatti më ka dërguar një letër që e ruaj, ku thuhej se për herë të parë, Enzo Ferrari pranoi se kishte gabuar dhe se ndoshta duhej të ishte përmbajtur, sepse kishte sjellë në jetë një konkurrent.

Edi Rama:  Nga ato që kam mësuar, kam përshtypjen se intuita e tij për atë që mendonte se Ferrari duhet të bënte me motorin doli që ishte e saktë.

Tonino Lamborghini:  Po, sepse im atë e provoi vetë. Te Ferrari që digjte friksionin, montoi një friksion normal “Ferodo” që e montonte te traktorët. Përmasat përputheshin në mënyrë të përsosur, kështu që u montua, u provua dhe makina iu përgjigjej sforcimeve me zero probleme. Ja pse Ferrucio, im atë, shkoi te Ferrari, pa asnjë mendjemadhësi, pa asnjë krenari, duke thënë që, në thelb, po shkoj te një koleg, një bashkësipërmarrës, t’i them, “dëgjo, po e ndërrove këtë me këtë, problemi zgjidhet”. E bëri pa asnjë mendjemadhësi, si klient. E priti dy orë. Ndërsa priste dy orë në paradhomë – këtë ma tregonte im atë – thoshte me vete: “Unë prodhoj 52 traktorë në ditë. Kam 1 000 punonjës. Kam dy Ferrari dhe ky më lë të pres dy orë?” Pastaj, në Italinë e asaj kohe, tjetrit i drejtoheshe me “ju”. Ky vjen dhe i drejtohet me “ti”. Ferrari i flet tim ati me “ti”.

“Po pse më drejtohet me ‘ti’?”

Ato vite, kur shkoja në shkollë të mesme, nëse dikush ishte dy a tri vjet më i madh se unë, i drejtoheshe me “ju”. Më pas, natyrisht, bëheshim shokë dhe flisnim me “ti”, por, si fillim, ishte me “ju”.  “Ta marrë e mira, ky si ia lejon vetes”. Kjo dhe e  bezdiste tashmë. Pastaj, kjo qe historia. Le t’ua përcjellim edhe të rinjve. Nuk e di nëse në gjuhën tuaj keni “ti” dhe “ju”

Edi Rama:  Po, e kemi.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 07/04/2024 03:02

    Me pelqeu shume historia se si lindi /Lamborghini/.Sedra e punes,respekti per te dhe njohja e vetes, ambicja e shendeteshme,respekti per krijuesit jane celsa suksesi.

    Përgjigju
  • Or tej: 06/04/2024 18:20

    Po te kishe ftuar Elettren do e kishe fituar edhe nje klick nga mua or teeeejjjjj

    Përgjigju
  • sapa: 06/04/2024 16:05

    Zoti nuk e dinte qe ky vend do behej me i korruptuari ne bote ku edhe xhaketen veshur nuk e ke te sigurte se ta marrin me vendime gjykate!

    Përgjigju
  • Tirona 1920: 06/04/2024 13:48

    Ça pjese historike të qytetit paska rujt Ed Rama se nuk di të ket ngel më gjo përveç Sarajeve Toptani e 1 vile në rrug të Kavajës. Noshta "mreti" i ka prezantu si historike ato godinat rreth qëndrës apo piramidën. Të fala Ramës e Veliajt

    Përgjigju
  • Meri: 06/04/2024 13:34

    Zoti,e krijoi shqipërin me bukuri ,dhe pasuri përrallore por...,politikanët e djeshëm,dhe të sotëm i përvetësuan,dhe popullin e kan lën me gisht në gojë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?



×

Lajmi i fundit

Protesta e Rithemelimit, mbledhja e Këshillit Bashkiak zhvendoset online

Protesta e Rithemelimit, mbledhja e Këshillit Bashkiak zhvendoset online