TIRANE - Kampioni i atletikës, Usain Bolt, nuk ka lënë indiferente as kryeparlamentaren Jozefina Topalli. E cila tashmë pas deklaratës së qëndrimit përjetë me Berishën kryetar, ka nisur të dëgjojë muzikë dhe të shohë atletikë. “19.66 s Usain Bolt”, shkruan ajo në Facebook, duke iu referuar garës së 200 metrave në Kampionatin Botëror të Atletikës “Moskë 2013”, të fituar nga Usain Bolt.

Pas kësaj, Topalli i është përgjigjur një komentuesi, duke thënë disa informacione për Bolt, të cilat i mbledhur nga mediat botërore. “Usain Bolt, është objekt studimi. Shkencëtarët, pyesin se çfarë e bën Usain Bolt më të shpejtin. Ata thonë që veç të tjerave Bolt ka avantazh se është më i gjatë se shumica e garuesve dhe hapat e tij janë gati 8 inch më të gjatë se të tjerët.

Kur vrapon, forca që shpërthen kur këmba e tij prek tokën është 1000 pounds forcë, e barabartë me forcën e 500 njerëzve të zakonshëm….e megjithatë, duket e vështirë që të dekodosh sekretin e “njeriut të erës”, shkruan ajo. Tashmë Topallit dhe Berishës, në prag të largimit nga pushteti, duket se nuk u ka mbetur gjë tjetër, veçse të kalojnë kohën në rrjetet sociale.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 18.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)