TIRANE- Kryeparlamentarja Topalli akuzoi mbrëmë kryeprokuroren Ina Rama se u përdor politikisht përpara zgjedhjeve të 2009-ës.

"Do kisha dashur një njeri me integritet, që i qëndron ligjit dhe vetëm ligjit. Duhet të jem realiste një të tillë nuk do ta gjejmë. Por një njeri që ka një CV të pranueshme do ta votoja, siç kam votuar dhe zonjën Rama. Ajo u përdor politikisht përpara zgjedhjeve të 2009-ës. Prokurori duhet t'i qëndrojë ligjit dhe vetëm ligjit", tha Topalli mbrëmë e ftuar në emisionin "5 pyetje nga Babaramo".

Në lidhje me mandatin e kryeprokurores Rama, Topalli theksoi se Kushtetuta e ka të përcaktuar qartë, se mandati është 5-vjeçar dhe nuk duhet të kapërcehet asnjë ditë më shumë. Topalli ka komentuar zgjedhjen e Presidentit të ri, Bujar Nishani, ndërsa ka lënë të kuptohet se ka refuzuar të jetë në listën e PD, për këtë post, edhe pse emri i saj është lakuar shpesh. "Presidenti është zgjedhur bazuar në procedurën Kushtetuese, ka një sfidë me veten dhe shoqërinë, për të qënë ndryshe nga paraardhësi i tij, në kuptimin e përfaqësimit të shtetit dhe interesave të shqiptarëve, në kuptimin e rolit që do ketë në reformën në drejtësi", tha Topalli. Ajo tha se opozita ishte ajo që trembej, nga emri i saj.
(jm/sg/shqiptarja.com)