KOPLIK - Kreu i Frymës së Re Demokratike, nga Malësia e Madhe ku zhvilloi një takim me përkrahësit e kësaj partie, ka hedhur akuza ndaj qeverisë së kryeministrit Berisha por edhe nga kryetarit të opozitës, Edi Rama. Sipas Topi, qeveria ka harruar dhe lënë pas dorë malësorët dhe të përndjekurit, ndërsa Rama ka frikë se nuk vjen dot në pushtet.

“Ky trajtim mospërfillës nuk përbën ndonjë çudi pasi Kryeministri nuk është veçse një ish-komunist i kthyer në demokrat, theksoi kryetari i FRD-së. Kryeministri ka frikë se po humbet pushtetin ndërsa nga ana tjetër kryetari i opozitës ka frikë se nuk vjen dot në pushtet”, deklaroi Topi.

Sipas ish-presidentit Topi, politikanët “sapo sigurojnë karrigen e pushtetit mbyllin telefonat dhe dyert e zyrave dhe bëhen mosmirënjohës ndaj votës së qytetarëve”, duke premtuar se FRD ka synim një alternativë dhe shpresë të re.

Nga foltorja e takimit Topi siguroi mbështetësit e FRD-së si dhe qytetarët e Malësisë së Madhe se sondazhet paralajmërojnë një fitore të madhe të kësaj partie, në 23 qershor.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)