TIRANË - Kreu i FRD, Bamir Topi është prezantuar sot pasdite si kandidat i forcës poltike që drejton në Tiranë. Teksa ka paraqitur dhe kandidatët e tjerë të FRD, ai i ka cilësuar ata si “njerëz me profile të larta publike, që kanë dhënë kontribute për shoqërinë, që në mënyrë të heshtur, shumë fisnike, që në këtë rast kanë ditur që me shumë altruizëm të mbështesin kolegët e tyre që janë sot këtu.

Topi u shpreh se “do të jemi pjesë e asaj filozofie fitoreje, që jam i bindur që data 24 qershor do ta tregojë". FRD nëpërmjet këtij kompozimi, ka thënë Topi - dhe ndërmjet kompozimeve të tjera kudo; në Vlorë, Fier, Kukës, kudo, jemi armatë e madhe dhe brenda një viti që krijimi i kësaj force me psikologji fitoreje është një rast unikal në historinë e tranzicionit të këtij vendi”.

TOPI: PD, E UZURPUAR, U KTHYE NË ORIGJINË

"FRD jo vetëm ka lindur, është forcuar, strukturuar, pasuruar, por sot FRD konsiderohet ajo forcë serioze, politike, me një karakter të fortë politik. Ditën që mbylleshin koalicione, pazare politike, ku nuk munguan ofertat e drejtpërdrejta për t’u bërë pjesë e koalicioneve, që duket se i kanë vënë vulën tranzicionit të përçudnuar shqiptar. Një formacion që lind si demokrat dhe përfundon si aliazh demokrato-socialist. Kemi njerëz emblematikë të tranzicionit shqiptar, që në fillim të ’90-ës, dikush që sot është në gjirin e atij që uzurpoi PD, sa më shumë kaloi koha aq më shumë përfundoi në origjinë. Ky pushtet nuk ka më asnjë lidhje me atë për të cilën u krijua. Një vit më parë një grup kolegësh, intelektualë vendosëm t’ia vëmë emrin Fryma e Re, për të sjellë atë frymë që ekziston në popull, mjedis, por jo në institucione. Duke pasur një program të menduar mirë, ne do të futemi në këtë betejë, për të komunikuar me qytetarët shqiptarë dhe për të qenë fitues në datë 23".

TOPI: SOT, ENDE ZBATIMI I KATOVICËS


"Zbatimi i marrëveshjes së Katovicës. Janë të paharruar në sensin negativ, ato fjalime të vitit 1986 të Mihail Gorbaçov, të 1989 të Ramiz Alisë dhe të nxënësit të tij në implementim në më shumë se 20 vite, që e ka çuar Shqipërinë në një kaos total institucional, në thyerje të besimit te shteti, te politika, dhe jemi në një moment kur për Shqipërinë duhet të fillojë një erë e re politike".

TOPI: SOT ÇDO GJË DOMINOHET NGA NJË NJERI
"Dominohet nga një njeri gjithçka. Kjo është arsyeja që çdo gjë ka rënë në një grup klientelist, që 56% e shqiptarëve janë analfabetë. Ky është pushteti i familjes, që mendon si të gjenerojë vetveten, pa standardet që ka gjithë demokracia botërore. Ku në ShBA, mund të jesh presidenti më i sukseshëm ke të drejtë vetëm 2 mandate. Këtu edhe pse ke 120 vjet dëshiron me çdo kush të riciklohesh, e bashkë me të dhe shpura e tij".

TOPI:  PARATË E SHQIPTARËVE, TË KEQPËRDORURA


"Ai që s’ka dhënë asgjë, vetëm ka keqpërdorur paratë e shqiptarëve dhe ka detyruar ndërkombëtarët të vijën e të gjejnë interlokutorë. Kjo është arsyeja që ambasadori i BE sot dha një deklaratë të rëndë: “Merruni vetë, s’na keni më për ndihmë”. Ka të drejtë. S’mund të rrimë të varur nga politika europiane për të zgjidhur problemet e brendshme. Në shumë raste amatoreske, për tekat e njërit apo tjetrit shqiptarët kanë ende probleme me pronën, me dëmshpërblimet e të përndjekurve politikë, sepse këtë fytyrë e ka kjo politikë e përçudnuar, që meriton të ndëshkohet në 23 qershor. Zgjedhjet nuk janë për të harxhuar miliona lekë. Zakonisht fishekzjarrët hidhen në fund, tani po i hedhin në fillim, se janë të bindur që nuk do të arrijnë t’i hedhin në fund".

TOPI: NË POLITIKË TË NJËJTAT FYTYRA, E PAPRANUESHME

"Ta ndëshkojmë jo për të hequr njërin e sjellë tjetrin, por sepse s’mund të jetë më statike e njerëzve, që qëndrojnë derisa Zoti u merr ymrin. Politika duhet të gjenerojë vetveten, ka nevojë për njerëz të rinj në politikë, për rregulla të reja loje, mentalitet të ri. Të gjenerohen elitat, për t’u hapur rrugën të tjerëve. Shohin të njëjtat fytyra. Është e papranueshme. Fushata zgjedhore ka të bëjë me ju, jo me politikanët. Kini respekt për votën. Të mos u jepni shansin atyre me pushtet absolut, që të rrinë 8 vjet në pushtet. Të njëjtën gjë them dhe për tjetrin, që ka të drejtë të aspirojë karrigen, por ka qenë bashkautor i shkatërrimit të institucioneve".

TOPI: BERISHA DUHET TË JAPË LLOGARI

"Ekonomia rrënohet çdo ditë, pavarësisht ç’thotë kryeministri, ai s’do thotë tjetër gjë. Duket sikur i ka investuar nga xhepi i tij privat. Ai duhet të japë llogari për mënyrën e administrimit të parave të shqiptarëve. Për atë borxh që përbën një gropë të zezë për brezat që do të vijnë. Për mënyrën e drejtimit të tij për mënyrën e drejtimit në funksion të një klientele.

Duke e kthyer Televizionin Publik Shqiptar në një bunker të interesave të tij familjare. Për degjenerimin e arsimit në ato standarde, që edhe nga vendi fqinj vijnë marrin certifikata false.

Për të sëmurët që nuk dinë ku të përplasin kokën, ndërkohë që politikanët apo dhe ministrat e shëndetësisë që vizitohen jashtë, as në ato të tyret, duke na thënë që ne jemi këtu për të administruar paratë tuaja, për t’i keqpërdorur dhe pastaj trajtohemi prapë me parat tuaja. Një politikë e re për sigurinë e jetës, cilësinë e jetës ka nevojë të vijë në skenë".

TOPI: BERISHËN NUK E TREMB PS-ja, POR FRD-ja

"Kryeministrin Berisha nuk e tremb PS, por FRD, aq sa është bërë edhe objekt i Portokallisë. Në rast se kërkon të futesh në punë thonë "shko tako Bamir Topin, jepi dorën". Në rast se je në punë e ke takuar Bamir Topin "do ikësh nga puna". Berisha ka rënë në hall të jashtëzakonshëm. Nuk e ndihmojmë dot. Do ta ndihmojmë duke ardhur në politikë jo me mllefe, por një forcë civile, moderne, që i sheh shqiptarët si vëllezër, si miq, pavarësisht se ku jetojnë".

TOPI: PARLAMENTI UNIKAL, NËN THUNDRËN E EKZEKUTIVIT

"Jam bindur se, gjëja më e rëndësishme është, që politika të prodhojë një parlament, që së pari të jetë institucioni i popullit, që të marrë fizionominë e institucionit më serioz, ku bëhet debati politik, ku prodhohen ligjet dhe ku kontrollohet pushteti i ekzekutivit. Tek ne ka ndodhur e kundërta. Parlamenti është nën thundrën e ekzekutivit. Është parlament unikal, që institucionet hetimore përdoren nga mazhoranca. Ngrihen komisione për gjëra të rëndomta dhe jo për gjëra të rëndësishme, qoftë dhe për të dënuar kryepuçistin e 21 janarit".

Redaksia Online
(ma/shqiptarja.com)