TIRANE - Kryetari i FRD-së, Bamir Topi, i ka dhënë sot politikës, mesazhe që shkonin përtej festës së fëmijëve, 1 Qershorit, për të cilën ai ishte ftuar të festonte sëbashku me fëmijët e fëmijët e ish-ushtarakëve të vrarë, në SHQUP.

Ai tha: "Sot dua të jap një mesazh për ata që kanë marrë një inisiativë për fëmijët e ish-ushtarakëve të rënë në krye të detyrës, se ky organizim e kjo vëmendje duhet të ishte në vëmendje të institucioneve. Mesazhi im që s’ka lidhje me 1 Qershorin, por me një specifikë të këtyre fëmijëve që janë këtu, është pikërisht vëmendja e shtetit ndaj kësaj kategorie."
 
Dhe në këtë pikë, Topi i  bëri thirrje partive që të kenë parasysh të kaluarën e njerëzve që kanë vënë në kandidim, disa prej të cilëve të lidhur me krimin. "Sa herë na është dashur të bëjmë homazhe për ushatarakët e rënë në detyrë, kemi parë politikanë që një ditë mbrapa, politikanët nuk janë më të dëshpëruar, por shohin ritmin e jetës së tyre, të familjes së tyre dhe nuk shohin më atë të familjeve të atyre që dhanë jetën. Kjo është hipokrizia e politikës që është kthyer në krim dhe krimi bëhet pjesë e politikës, futet dhe në administratë. E sheh sot edhe në fushatë. Skaneri I fushatës është shumë i qartë. Shihni posterat. Disa i kanë mbushur tërë rrugët e Shqipërisë; para pa fund, duke sjellë njerëzit nga të gjitha anët. Cila është politika? Për të shfrytëzuar njerëzit e thjeshtë?
 
Apeli tjetër është për qeverinë: Shpenzon miliona euro për reklama në tv. Kthejini këto në financime për këta fëmijë që u mungon dashuria e prindit dhe nuk duhet t’u mungojë vëmendja e shtetit, që s'duhet të jetë kaq mizor, kaq egoist, por duhet të jetë shumë altruist. Kjo është arsyeja pse unë sot e kam shumë të vështirë përzierjen e mesazhit të 1 Qershorit. Sot nuk flas vetëm me cilësinë e ish-Presidentit, por dhe të një politikani. Vëmendja e FRD-së do jetë në radhë të parë për të ndërtuar politika jo vetëm për të rënët, por edhe për gjallët, se nuk duam të ketë jetë të tjera të humbura", përfundoi Topi.

TOPI FESTON ME 1 QERSHOR EDHE ME FEMIJET ROME

Me qindra fëmijë e familjarë të komunitetit rom të përqëndruar në njesinë nr.4 të kryeqytetit, mirëpritën sot kreun e FRD-së, Bamir Topi, i cili u uroi festën të gjithë fëmijëve të pranishëm. “Sot është festa juaj dhe me ju dua ta nis. Gëzuar 1 Qershorin, festën e fëmijëve, asaj pjese të shoqërisë që nuk do t’ia dijë se ç’është politika, pasi në sytë e tyre ajo është e gjitha njëlloj, pa shenja dallimi, ndaj ta respektojmë ditën e tyre” – tha Topi. - 'Politika flet shumë për fëmijët, por në realitet, bën shumë pak për t’i trajtuar ata në mënyrë të barabartw e përpiqet po kaq pak që të mos e korruptojë pafajësinë e tyre. Ndryshimet që krijohen mes fëmijëve nuk janë në dobi të një shoqërië të shëndoshë. Shteti duhet t’i drejtojë politikat e tij në mënyrë që t’u japë mundësi të barabatë të gjithë fëmijëve, e jo vetëm në mënyrë selektive duke punuar për zonat kryesor e rrugët e qendrave, por edhe fëmijët e familjet e këtyre zonave që kanë kaq shumë nevojë për vëmendje” – tha kryetari i Frymës së Re Demokratike.

“Zona e njësisë 4 është një ndër më të varfërat në kryeqytet dhe deri tani nuk ka marrë vëmendjen e duhur nga institucionet shtetërore. Infrastruktur këtu lë për të dëshiruar dhe niveli i papunësisë është ndër më të lartët në kryeqytet. Por, Fryma e Re Demokratike ka në programin e saj një seksion që i kushton vëmendje të veçantë të gjitha zonave të harruara të qarkut më të madh të vendit” – tha Z.Topi. - “Ato lekë që shpenzohen për fushatat zgjedhore duhet të shkojnë për të sjellë gëzimin dhe buzëqeshjen në fytyrat e fëmijëve, të financohen projekte që ndihmojnë në integrimin e fëmijëve të shtresave të marxhinalizuara, të investohet për këta fëmijë e të mos shpenzohen fonde në kurriz të tyre, se janë të varfër” – u shpreh Topi për të pranishmit në festën e organizuar në njësinë 4. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe kandidatet për deputete të FRD për njësinë 4 në Tiranë, znj. Belma Muka dhe znj. Entela Binjaku si dhe kryetari i njësisë 4 të FRD në kryeqytet, Z.Enver Bami.

 Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)