TIRANË – Presidenti i repubilës Bamir Topi në mesazhin e tij i shpreh ngushëllimet familjes së publicistit të njohur, Ardian Klosi.

“Më lejoni të ndaj me ju dhimbjen dhe hidhërimin për ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike të Ardianit!”, i drejtohet ai familjes së publicistit të shquar.

“Largimi i parakohshëm nga kjo jetë i shkrimtarit, analistit letrar, përkthyesit, publicistit dhe aktivistit të njohur publik të shoqërisë civile, është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për ju - familjen e të afërmit, por edhe për mbarë shoqërinë tonë, e cila sot më tepër se kurrë ka nevojë për intelektualë të mirëfilltë dhe zëra të pavarur e të guximshëm që marrin përsipër të kryejnë misione altruiste në të mirë të qytetarëve shqiptarë”, shprehet Presidenti në mesazhin e tij të ngushëllimit.

Kreu i shtetit ka shprehur edhe vlerësimin e tij personal dhe institucional për përkushtimin njerëzor e profesional, veprën artistike dhe jetën aktive shoqërore të një prej njerëzve më të njohur të publicistikës shqiptare.

(aq/shqiptarja.com)