GRAMSH - Me Edi Ramën na ndan ideologjia, ndërsa me Berishën na ndan thellësisht morali politik. Kështu është shprehur ditën e sotme kreu i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi. Duke folur nga Gramshi theksoi se fakti që FRD nuk bën koalicion me partitë e vjetra është sepse nuk e bashkon asgjë me to.

“Ne kur kemi thënë që nuk do të bëjmë koalicion me partitë e vjetra, e kemi thënë pasi nuk na bashkon asgjë me to. Opozita e cila është e dobët ka bashkëpunuar me pushtetin si në ndryshimet kushtetuese ashtu edhe për kodin zgjedhor. Me Edi Ramën ne na ndan ideologjia, ndërsa me Berishën na ndan thellësisht morali, për këtë arsye ne kemi vendosur të bëjmë koalicion vetëm me qytetarët dhe me asnjë tjetër”, deklaroi Topi.

Më tej kryetari i FRD-së ka theksuar se FRD ka mision e saj të zhdukjen së mashtrimit të politikës, duke përsëritur angazhimin e tij politik në këtë çështje.

“Programi ynë politik nuk do të jetë ai i premtimeve të pambajtura, por i premtimeve të mbajtura. Personalisht e ndjeva një detyrim që të rikthehesha në politikë , jo për të siguruar një karrige, por për t’i shërbyer qytetarëve”, tha kreu i FRD-së.

Topi akuzoi drejtpërdrejt Kryeministrin Berisha për koston e shitjes së Shqipërisë 1 euro, e cila ka dëmtuar interesin e qytetarëve, por edhe për vitin i mbrapshtë të 1997 e firmat piramidale, që sipas kreu të FRD-së kanë për arkitekt Kryeministrin e asaj kohe.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i FRD-së Gazmend Oketa theksoi se “Kryeministri Berisha përpara se të thyejë rekorde në not duhet të thyejë njehërë rekordet negative në korrupsion, arsim dhe shëndetësi.

Oketa u siguroi qytetarëve gramshiotë se në qershor të 2013 kjo qeveri do të përfundojë jo në Lanë, por në det për t’i dhënë mundësi Kryeministrit të thyeje rekorde të reja.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)