TIRANE- Në cilësinë e Kryetarit të Frymës së re Demokratike Bamir Topi kërkoi sot ndjesë politike për faktin se nuk bëri dot më shumë për të parandaluar keqqeverisjen e vendit dhe nuk frenoi dot Berishën “të zaptonte shtetin”. Kjo është dhe arsyeja pse së bashku me ish themelues të PD-së, ish ministra demokratë vendosën të hynin në politikë me identitet të vetin  si një parti e qendrës së djathtë, me program të qartë dhe që mbështetet në idealet e 1990-tës.
 
“Për ata që na kujtojnë kohën kur ishim në PD, dëshiroj t’u them: jam dhe jemi krenarë për kontributin pozitiv që kemi dhënë në vite në jetën politike, në parlament, në qeverisjen e vendit apo në jetën publike. Ne nuk mund të jemi përgjegjës direkt për keqqeverisjen e vendit, kalimin e PD-së nga një forcë politike demokratike në një sekt ideologjik monotoist, për korrupsionin dhe skandalet që vijojnë të shoqërojnë modelin e sotëm qeverisës, apo për zhgënjimet e thella, - siç ne jemi krenarë se në asnjë rast nuk kemi qenë dhe nuk jemi pjesë e zhvillimeve më negative të tranzicionit, pazareve politike personale, zhvatjes së pronave publike, vrasjen e qytetarëve të pafajshëm, uljen e imazhit ndërkombëtar të vendit apo njësimin e pushtetit partiak me shtetin. Përkundrazi, ne krenohemi se aty ku ishim, në respekt të kushtetutës dhe ligjit, bëmë gjithçka mundëm për të forcuar pavarësinë e institucioneve dhe nxitur frymën demokratike të qeverisjes, për të parandaluar zaptimin e shtetit nga një njeri i vetëm dhe për të dhënë modele të një politike sa më qytetare e evropiane. Kjo krenari dhe e vertetë e madhe nuk na pengon se sot, ne t’u kërkojmë qytetarëve ndjesë publike që nuk arritëm të bëjmë më shumë në ato vite për parandalimin e të keqes që ka marrë peng politikën, institucionet, ekonominë dhe jetën publike, siç jemi të ndërgjegjshëm se kjo na bën dyfish të angazhuar dhe të vendosur që sot, në kuadër të jetës dhe konkurrencës politike, të punojmë pa u lodhur, me energjitë dhe përvojën e fituar, për të rikthyer vlerat e demokracisë dhe aspiratat, për të cilat hymë në politikë në fillim të viteve 90 dhe që sot janë jetike për bashkimin tonë të vonuar me Evropën. ”-   tha sot nga kryetari i FRD-së Bamir Topi, ish kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike deri në 2007, kohë kur u zgjodh president i Republikës deri në korrik 2012. Deklarata u bë në selinë e FRD-së në Tiranë u prezantuan sot 19 departamentet e e kësaj partie dhe ekipin ekzekutiv të secilës prej tyre. 

TOPI: U LARGUAM NGA PD KUR KJO PARTI U VENDOS NE SHERBIM TE BERISHES

Topi tha se ekipi i FRD-së janë themelues, ish deputetë, ish ministra e zyrtarë të lartë.ë të cilët kanë besuar në parimet e 1990 dhe u larguan nga PD sepse refuzuan të merrnin pjesë në një parti të shndërruar në kompani politike ekonomike në shërbim të kryetarit të saj.

"Shumica jonë ka pasur në CV e tij një kontribut disavjeçar në Partinë Demokratike, disa janë themelues të saj, ish deputetë, ish ministra, ish zyrtarë të lartë apo aktivistë të njohur. Të gjithë ne që kaluam një përvojë të tillë besuam në politikën e moralshme dhe parimet politike që jetësuan pluralizmin politik më 1990. Ne besuam se gabimet politike vijnë nga mungesa e përvojës dhe se PD do të kishte të gjithë mekanizmat e nevojshëm, institucionet e brendshme të fjalës dhe konkurrencës, për të shmangur çdo formë të deformimit në misionin, funksionin dhe aktivitetin e saj politik. Ne refuzuam ofertat për komoditet personal të pushtetit dhe zgjodhëm të përballemi me të, si rruga më e mirë për të respektuar veten, mbështetësit, integritetin dhe bindjet tona politike. Ne praktikisht vendosëm të ndahemi prej saj, jo sot, jo dje, por që ditën që kjo parti pushoi së ekzistuari si forcë politike demokratike, sapo ajo përfundimisht mbylli shtegun e reformimit dhe garës së brendshme, ndryshoi parimet dhe programin themelues dhe vendosi të shndërrohej në një kompani politiko-ekonomike në shërbim të kryetarit dhe klanit të tij politik. "


FRD: NUK BEJME ALEANCE ME PD E AS PS JANE TE DYJA ANET E MOLLES SE KALBUR 

Në cilësinë e kryetarit të Frymës së re Demokratike, ish presidenti Topi garanton se kjo forcë politike dallon në disa aspekte nga partitë e tjera dhe  kundërshtoi sërish idenë e ndonjë koalicioni zgjedhor me ato partitë e mëdha që i cilëson mollë të kalbur.

“FRD dallon shumëfish nga modelet e vjetra politike, të cilët mendojnë sesi të shtyjnë më shumë ditë në pushtet për të përfituar sa më shumë prej tij, sesi të bëjnë pazaret e radhës me votën, partitë politike apo mandatet parlamentare, sesi të bëjnë marrëveshje të fshehta e të hapura me opozitën për jetësimin ose ndarjen e pushtetit, sesi ti shërbejnë më mirë dhe më shumë liderit të tyre shpirtëror, një figurë politike e konsumuar.
Ata nuk kanë program, nuk mbajnë premtime, nuk kanë identitet, nuk mbështesin ata që jetësuan pluralizmin, nuk pranojnë dialog politik dhe nuk respektojnë shtetin dhe institucionet kushtetuese. Ata nuk e duan integrimin sepse ndjehen të kërcënuar prej standardeve të BE-së, nuk duan zhvillimin ekonomik sepse humbasin monopolet e tyre financiare, nuk duan të përndjekurit politikë sepse kanë frikë hapjen e dosjeve kompromentuese të tyre, nuk duan pronarët sesa ua kanë grabitur pronat, nuk duan intelektualët sepse kanë standarte mediokre të rekrutimeve në administratë dhe vendimmarrje, dhe së fundi, nuk duan as qytetarët, sepse kanë frikë nga vota e tyre direkte kundër sundimtarëve të radhës.
FRD është dhe do të jetë e kundërta e të gjitha këtyre cilësive.”- tha Bamir Topi.

Fryma e Re Demokratike thotë se do të hyjë në zgjedhjet e ardhshme të 2013 me synime të mëdha, me program të qartë me projekte konkrete për secilat shtresa, për të qenë një pjesë kryesore në vendimmarrjen qeverisë. Por pa bërë aleatë as me Sali Berishën dhe as me Edi Ramën, por vetëm me qytetarët.

“Ne nuk kemi asgjë personale me Sali Berishën apo Edi Ramën. Vizioni ynë për shtetin dhe Shqipërinë ndryshon shumë prej tyre; bindja e jonë për politikë qytetare, transparencë dhe moral politik vjen në kundërshtim të plotë me tiparet e tyre politike; synimi ynë për shtet të së drejtës dhe rotacion demokratik pushteti, i kundërvihet nocionit të tyre për shtet partiak dhe qëndrim në pushtet deri në limitet e kohës jetësore.
Ne duam t’ju themi sot njëherë e mirë se, FRD-ja nuk është dhe nuk mund të jetë në aleancë elektorale me asnjërën parti të vjetër politike, duke i konsideruar ato dy anët e të njëjtës mollë të kalbur, përgjegjëse direkte të keqqeverisjes së vendit dhe zhgënjimit masiv të qytetarëve tek sistemi politik. Ne jemi dhe do të jemi në aleancë besnike vetëm me qytetarët, me ata që besojnë si ne, se ky vend mund e duhet të bëhet, se këtu kemi lindur dhe do të rrisim fëmijët tanë, se Evropa nuk arrihet duke emigruar por duke e bërë vendin tonë të denjë për standardet e jetës, shtetit dhe demokracisë evropiane. ”- tha Topi në fjalën e tij në selinë e FRD-së.

Disa nga departamentet e FRD te prezantuara dhe drejtuesit e tyre janë:
Departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë - Alketa Çoçka
Departamenti i Integrimit Evropian - Mirela Bogdani
Departamenti i Arsimit dhe Shkencës - Edmond Dragoti
Departamenti i Shëndetësisë - Aleksandër Sallabanda
Departamenti i Marrëdhënieve me Publikun - Edlira Gjoni
Departamenti i Politikave të Administratës Publike - Andi Seferi
Departamenti i Çështjeve Kushtetuese dhe Ligjore - Edlira Abazi
Departamenti i Ish-të Përndjekurve - Bedri Blloshmi
Departamenti i Çështjeve të Pronësisë- Arjola Tola (Tabaku)
Departamenti i Pasurive Ekonomike- Alfred Cako
Departamenti i Politikave Financiare dhe Rregullimit të Tregjeve- Gerta Gumeni.
Departamenti i Marrëdhënieve me Biznesin - Mimoza Pregu
Departamenti i Infrastrukturës, Rregullimit të Territorit dhe Transporteve- Stavri Ristani
Departamenti i Bujqësisë dhe Ushqimit- Prof. Dr. Aleksander Flloko
Departamenti i Politikave të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve -.Agron Xoxa.
Departamenti i Çështjeve Sociale dhe Shoqërisë Civile- Kliton Zguri dhe  Edlira Seferi Sheta
Departamenti i Diasporës dhe Emigracionit - Lisandër Saraçi.
Departamenti i Çështjeve të Sigurisë Kombëtare- Klajdi Mati
Departamenti i Turizmit - Fisnik Brovina.
(sg/shqiptarja.com)