TIRANE- Kreu i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi deklaron se Partia Demokratike ende nuk ka reflektuar nga humbja e madhe e zgjedhjeve në 23 qershor, dhe kjo jo për shkak të emrit  që ka marrë drejtimin në këtë parti. “Ajo parti, e cila ka pasur një humbje të thellë në zgjedhje sipas këndvështrimit tonë, nuk ka dhënë absolutisht asnjë lloj shenje, asnjë lloj simptome të reflektimit. Në PD nuk ka një “mea culpa” të atij që e ka drejtuar atë parti dhe aq më shumë kur ka një pjesëmarrje të drejtëpërdrejtë, a thua sikur nuk ka ndodhur asgjë, përderisa nuk ka një reflektim edhe në raportet e krijuara midis ish- pushtetit dhe institucioneve”, tha Topi në një intervistë.

Ndër të tjera, ai ka thënë se marrëdhëniet me partinë ku ai bënte pjesë në momentin që është zgjedhur kryetar i shtetit i ka cilësuar si mizerrabël. “Ka qenë një marrëdhënie mizerabël e injektuar nga interesa okulte të pushtetit të ikur. Dhe kur kjo vjen e transmetohet tek një parti e sapolindur, sikurse ishte FRD-ja, pa qenë nevoja t’ju them këtu për largimet nga puna, për presione të natyrave të ndryshme sikurse ne e kemi konstatuar. Unë them përderisa nuk ka një reflektim, nuk ka bazë për një riorientim të një marrëdhënie të re”,tha Topi.

Shkrimi u publikua sot (03.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)­