TIRANË – Nëse FRD-ja do të bëhej pas zgjedhjeve, forcë qeverisëse, pikat për të cilat nuk do të bënte kompromis, sipas kryetarit të saj, Bamir Topi, janë:

E para, çështja e zgjedhjeve. FRD nuk mund të pranojë bipolarizimin e deformuar, prandaj do të kërkojë ndryshimin e kodit zgjedhor në funksion të barazisë së qytetarëve para votës.

E dyta, funksionimin e institucioneve, ndërsa e treat, problemi moral për ish - të përndjekurit dhe pronën, si motor i zhvillimit të ekonomisë. Nëse nuk bashkëpunojnë për këto çështje, FRD zgjedh qëndrimin në opozitë.

Gjatë një konference për shtyp sot, Kryetari i FRD-së iu përgjigj pyetjes se me cilat parti do të bënte aleancë për të krijuar polin e tretë:

“Nuk bëjmë përcaktime nominale", - tha ai, -"jemi të hapur të bisedojmë për aq kohë sa ka mbetur. Në rast se partitë e tjera nuk i shohin interesat e tyre të njëjta me ato te FRD-së, ne jemi të vendosur të dalim të vetëm në zgjedhje. Nuk mund t’i japim oksigjen një kryeministri dhe një qeverie që ka braktisur interesat e të djathtës.  Pasqyrë e degjenerimit të politikës ishte dje miratimi i ministrave të rinj.

Poli i tretë knsiderohet një çështje e hapur përsa kohë të ketë parti që mbështesin pozicionin dhe qëndrimin e FRD-së. Nëse nuk gjenden pikat e përbashkëta, FRD-ja do të konkurojë e vetme me modelin e saj në shërbim të shtetit dhe qytetarit".

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)