Kryetari i Frymës së Re Demokratike priti sot në një takim Ambasadoren e Francës, zonjën Christine Moro ku i shprehu shqetësimin se “pushteti po e bazon fushatën jo në alternativa e llogaridhënie, por në kontrollin monopol të procesit zgjedhor. “

Pavarësisht kësaj FRD thotë se ka besim të plotë se qytetarët më 23 qershor do të mundësojnë rotacionin politik dhe kthimin e frymës evropiane në mirëqeverisjen e vendit.

Zoti Topi i shprehu mirënjohjen ambasadores për mbështetjen e vazhdueshme të Francës për Shqipërinë në të gjitha etapat e proceseve të tranzicionit, sidomos në drejtim të integrimit euroatlantik.

“FRD ndajnë të njëjtat vlerësime kritike me raportet e BE-së për progresin e limituar dhe përgjegjësitë direkte të qeverisë dhe opozitës parlamentare për të gjetur gjuhën e dialogut dhe bashkëpunimit në interes të axhendës integruese. Për FRD është e papranueshme politika e konfliktit permanent, mosvotimi i ligjeve apo sjellje politike që cënojnë integrimin e institucioneve kushtetuese dhe besimin tek shteti i së drejtës.”- citohet t’i ketë thënë ambasadores franceze, kreu i FRD-së.
Topi tha se FRD përfaqëson një forcë politike moderatore dhe pro evropiane, e cila në cdo akt të saj, sot përmes një deputeti dhe nesër përmes angazhimit në qeverisjen e vendit do të jetë katalizator kryesor në ecurinë e procesit të integrimit.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)