Topi: Të ndryshohet Kushtetuta
 Asnjë "mea-culpa" për 2008-ën

Topi: Të ndryshohet Kushtetuta<br /> Asnjë 
Kryetari i Partisë Fryma e Re Demokratike, ish presidenti i vendit Bamir Topi teksa bëri një analizë të situatës politike dhe veçanërisht të asaj parlamentare deklaroi se zgjidhja e vetme për ta çuar Shqipërinë në drejtimin e duhur, është vetëm ndryshimi i Kushtetutës.

Një gjë e tillë sipas kreut të FRD-së duhet të bëhet me një konsensus gjithëpërfshirës dhe me procese paralele si ajo e Reformës në Drejtësi dhe Dekriminalizimi, pasi nëse fatet e vendit do të lihen vetëm në dorë të dy personave, atëherë demokracia do të kapitullonte.

Topi solli në vëmendje edhe ndryshimet kushtetuese në prill të vitit 2008, duke deklaruar se nuk ka asnjë “mea culpa” për atë që ndodhi.

“Po kalojnë 8 vite nga prilli i vitit 2008, kur brenda një nate sikurse e mbani mend, ndryshoi Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë me vullnet të deformuar mbi biseda klandestine, duke i sjellë një dëm demokracisë në Shqipëri. Përgëzoj zërat që i referohen asaj date për efektet negative, që pati ai ndryshim i befasishëm, në interes të dy individëve siç e kam thënë gjithmonë, por e rëndësishmja që konstatojmë ne është se ka pak përgjegjshmëri për të bërë një “mea culpa” publike për atë që ndodhi,” tha Topi.

Sa i përket situatës në parlament, Topi tha se ky institucion po e humbet detyrën e tij themelore. "Dëshiroj të jap notat e mia kritike për mjedisin parlamentar në Shqipëri. Aty ku duhet të bëhet debat politik dhe jemi të detyruar të theksojmë që jo gjithçka po shkon në drejtimin e duhur. Nuk e kam fjalën për sloganin e së majtës por për drejtimin e duhur që duhet të ketë shteti shqiptar. Jemi skeptik që ky parlaemnt do arrijë të përmbushë detyrën themelore. Kemi qenë të rezervuar për të mos dal në atë pozicion që ju po flisni për parlament kur nuk jeni aty. Ne s’jemi sepse nuk ka funksionuar kodi i zgjedhjeve. Një gen i deformuar në qelizë jep një mostër. Ky parlament sot për Shqipërinë përbën një mostër. Debat i paqenë. Diskutohet për gjëra të jashtëzakonshme, ditën tjetër harrohen, diskutohet për  vjedhjen e qindra milionëve, harrohen nesër”, u shpreh Bamir Topi gjatë një konference për shtyp.

Por pavarësisht destabilitetit politik që ekziston në vend, kreu i FRD-së shpreson që populli të mos ketë humbur fuqinë e tij reaguese, pasi jo gjithçka duhet lënë në dorën e dy individëve.

“Vendi ka nevojë për proces transparent. Politika është një treg, konkurencë e lirë, por jo monol i dy njerëzve. Të jeni të sigurtë se nëse kjo ndodh gjithçka do jetë e diktuar nga emocionet e dy personave. Por bipolarizmi ka dështuar në Shqipëri. Jo gjithçka duhet ta lëmë në dorë të dy individëve, ky do ishte kapitullim”, u shpreh Topi, ndërsa  u bëri thirrje të gjitha partive politike që të organizohen dhe projektohen qartë në bazë të interesave të publikut.
 
 
 Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Leverkusen bën për ‘Aspirina’ Milanin, Dortmund ‘tërmet 7 ballësh’! Barcelona me pesë yje, shkëlqejnë Inter, City dhe Arsenal

Champions League/ Leverkusen bën për ‘Aspirina’ Milanin, Dortmund ‘tërmet 7 ballësh’! Barcelona me pesë yje, shkëlqejnë Inter, City dhe Arsenal