Një grup protestuesish rrethon dhe sulmon një punonjës policie, dhjetë persona kundër njërit, duke mbajtur në duar edhe një çekiç. Këto janë pamjet e një videoje të publikuar nga Torino Oggi, e cila është riprodhuar dhe shpërndarë në rrjetet sociale edhe nga përfaqësues të qeverisë italiane, përfshirë ministrat Matteo Salvini dhe Guido Crosetto, si edhe kryeministren Giorgia Meloni.

Videoja është xhiruar në Corso Regina Margherita, pranë hyrjes së kampusit Luigi Einaudi të Universitetit dhe ish-selisë së qendrës sociale Askatasuna, e cila u lirua nga autoritetet më 18 dhjetor. Në këtë zonë, për rreth një orë, nga ora 18:30 deri në 19:30, u zhvilluan skena të një guerriljeje të vërtetë urbane. Një grup i madh protestuesish nxori papritur mburoja artizanale dhe nisi përplasjen me forcat e rendit. Situata u përshkallëzua shpejt: kosha mbeturinash të djegur, hedhje gurësh dhe bomba tymuese e shndërruan rrugën në një fushë beteje.

Në këtë klimë dhune ndodhi edhe sulmi ndaj punonjësit të policisë, i cili u godit dhe u rrethua nga protestuesit, deri në momentin kur ndërhyri një koleg i tij, duke ndërprerë agresionin. Pamjet tregojnë një nga fazat më të rënda të trazirave që përfshinë zonën.

Presidenti Mattarella telefonon Piantedosin

Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella, ka telefonuar ministrin e Brendshëm Matteo Piantedosi, për t’i kërkuar që t’i përcjellë solidaritetin e tij policit të sulmuar, si edhe të gjithë efektivëve të Forcave të Rendit që janë përballur me akte dhune.

Meloni: “Shteti nuk tërhiqet”

Kryeministrja Giorgia Meloni ka reaguar ndaj dhunës së protestës dhe rrahjes brutale të punonjësit të policisë. “Ajo që ndodhi sot në Torino është e rëndë dhe e papranueshme. Këto nuk janë shprehje kundërshtimi apo protesta: janë agresione të dhunshme me synim goditjen e Shtetit dhe të atyre që e përfaqësojnë. Për këtë arsye duhet të trajtohen si të tilla, pa lehtësime dhe pa justifikime”, deklaroi Meloni. Ajo shtoi se qeveria ka forcuar mjetet për të luftuar pandëshkueshmërinë dhe se tani është thelbësore që edhe drejtësia të veprojë plotësisht, në mënyrë që të mos përsëriten raste tolerimi që në të kaluarën kanë çuar në anulimin e masave të drejta kundër atyre që shkatërrojnë qytetet dhe sulmojnë ata që i mbrojnë.

Gjatë protestës është sulmuar edhe një trupë e Rai-t. Në një deklaratë zyrtare, Rai dënoi ashpër agresionin e rëndë ndaj gazetares Bianca Leonardi dhe operatorit të saj, pjesë e trupës së programit “Far West”, të cilët u sulmuan nga grupe antagoniste të maskuara gjatë marshimit për rihapjen e Askatasuna-s. Gazetarët u vunë në shënjestër, u sulmuan fizikisht, u kërcënuan dhe u detyruan të largoheshin me forcë, ndërsa u hodhën gurë dhe u shkatërrua pajisja e tyre e punës./ Corriere della Sera