TIRANE - Anëtarët e Komisionit të Ligjeve dhe të Sigurisë në një seancë të përbashkët kanë dëgjuar raportin vjetor të Avokatit të Popullit, Igli Totozani. Kreu i këtij institucioni ndër problemet që shqëtësojnë qytetarët ka nxjerrë në pah edhe të larguarit nga administrata shtetërore, ku për vitin 2013 numërohen rreth 384 punonjës të larguar. Për këtë, cështje Avokati i Popullit po përgatit edhe një raport të posaçëm që do të dorëzohet së shpejti në Kuvend.

"Sensibiliteti i madh që ka patur gjatë kësaj periudhe çeshtja e administratës pubike është në përfundim të një raporti të posatshëm mbi situaltën në administratën publike të cilën do ta keni në parlament brenda disa ditësh. Na rezulton 384 persona të larguar nga shërbimi civil në shqipëri, Njërzit janë larguar nga puna pa paralajmërime, pa periudhën e duhur të njoftimit që mund të jetë dy muaj deri në 3 muaj. Në përgjithësi nuk ju njihet vjetërsia në punë. Por një problem i madh dhe i rëndësishëm është dhe elementi i fundit i vendosjes së një të drejte është zbatimi i nje vendimi gjyqësor", tha Totozani.

Në raportin e Avokatit të Popullit, vend të veçantë zënë edhe ankesat ndaj policisë së rendit dhe rrugore.

"Problematika të rasteve të konstatuara në 2013 konsistojnë kryesisht në keqtrajtim dhe kryerje të veprimeve të dhunshme ndaj qytetarëve apo dhe gjatë shoqërimit në ambjentet e policisë. Vendosje e gjobave administrative në mungesë nga policia rrugore por pa zbatuar procedurën e njoftimit sikurse parashikohet në nenin 139 të Kodit Rrugor." u shpreh Avokati i Popullit.

Probleme të tjera mbeten edhe dëmshpërblimet e të persekutuarve apo zvarritjet e marrjes së pagesave, për të cilat Avokati i Popullit ka rekomanduar që të vendoset afat.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)