TIRANË - Një përfaqësi e komunitetit LGBT në Shqipëri ka vizituar sot zyrën e Avokatit të Popullit, Igli Totozani.

Në fjalën e tij Totozani theksoi se të drejtat e personave lesbike, gei, biseksuale dhe transgjinorë (LGBT), janë të drejta të njeriut. Institucionet dhe shoqëria shqiptare kanë për detyre të mbrojnë dhe të respektojnë të drejtat e tyre.

Zyra e Avokatit të Popullit nxit dhe inkurajon institucionet përgjegjëse për marrjen e masave të duhura në kuadër të rishikimit dhe zbatimit të legjislacionit që do të garantojnë mbrojtjen, respektimin dhe avancimin e të drejtave të këtij komuniteti në Shqipëri- u shpreh z.Totozani në fjalën e tij.

Institucioni i Avokatit të Popullit do të hartojë një marrëveshje me LGBT, në të cilën do të parashikohet shkëmbim informacionesh për problematikat e tyre, në respektim të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Pjesë e marrëveshjes do të jetë dhe ndërmarrja e nismave dhe propozimeve të përbashkëta për përmirësimin e zbatimit të legjislacionit.

Produkt i parë i këtij bashkëpunimi do të jetë një raport, në të cilin do të vlerësohen problematikat që ka ky komunitet dhe do të rekomandohet në Parlament përmirësimi i situatës me ndryshime ligjore të zbatimit praktik.


Nga ana e tyre, përfaqësues të Ambasadës Pink dhe LGBT parashtruan disa nga shqetësimet kryesore me të cilat përballet ky komunitet dhe falenderuan Avokatin e Popullit për bashkëpunimin e ofruar.

(aq/shqiptarja.com)