TIRANE- Situata e të drejtave të njeriut në Shqipëri, e veçanërisht e grupeve në nevojë, ka qenë tema në fokus të takimit që Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka zhvilluar me Drejtorin për Evropën Juglindore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore.
 
Moore vlerësoi punën e bërë nga institucioni i Avokatit të Popullit, ndërsa theksoi rolin e rëndësishëm të këtij institucioni sa i takon mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve.
 
“Vlerësojmë rolin e rëndësishëm të institucioneve të pavarura në konsolidimin e shtetit të së drejtës”, tha Moore.
 
Ndërkaq, Avokati i Popullit, Igli Totozani, vuri në dukje faktin që SHBA, si një partner i rëndësishëm i Avokatit të Popullit në fushën e të drejtave të njeriut, kanë një rol thelbësor në konsolidimin e standardeve në këtë drejtim.
 
“Raportet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit do vazhdojnë të përbëjnë një udhërrëfyes në punën e institucionit të Avokatit të Popullit”, tha Totozani.
 
Nga ana tjetër u vlerësua ndarja e raporteve të veçanta dhe rekomandimeve si dhe informacionet e tjera mbi situatën e të drejtave të njeriut në vend, me komunitetin ndërkombëtar, përfshirë këtu Ambasadën Amerikane në Tiranë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)