'Tradita është Alpha, ta dish…'/ Promovohet libri i baritonit të famshëm Gëzim Myshketa, i mundësuar nga Alpha Bank Albania

'Tradita është Alpha, ta dish…'/ Promovohet libri i baritonit të famshëm Gëzim Myshketa, i mundësuar nga Alpha Bank Albania

Gjatë aktivitetit të promovimit të librit

Dje, në mjediset e hotel “Rogner”, miq të baritonit me famë ndërkombëtare Gëzim Myshketa por mbi të gjitha, të artit e traditës, u mblodhën për të promovuar publikimin e libërthit e CD-së “Ta dish”, një përmbledhje këngësh tradicionale shqiptare, risjellë në një frymë moderne por, siç është shprehur edhe përpunuesi i tyre, kompozitori Kushtrim Gashi, duke ruajtur gjithmonë me fanatizëm origjinalitetin e tyre.

Pas një karriere të gjatë e të suksesshme operistike në skenat ndërkombëtare, baritoni Gëzim Myshketa ndjen nevojën për t’iu kthyer aromës e muzikës së vendit të tij. Ndaj konceptoi përmbledhjen muzikore dhe informative “Ta dish”, që ia dedikon të atit dhe që e konsideron si një kontribut të tijin modest. “Besoj se çdo ndryshim nis nga vetja. Sikur copëzat e Shqipërisë të duhen fort nga secili prej nesh, ajo ka për të qenë gjithmonë e më shumë e bukur, e fortë, krenare!”, është shprehur në parathënien e librit Myshketa.

“Ta dish”, që bën bashkë disa nga artistët më të mirë klasikë shqiptarë dhe risjell te publiku disa nga këngët më të bukura tradicionale shqiptare, u mundësua nga Alpha Bank Albania, e cila është gjithmonë në mbështetje të artit, traditës dhe kulturës.

Znj. Erjona Çela, Anëtare e Bordit Drejtues për Biznesin Bankar me Pakicë pranë Alpha Bank Albania u shpreh: “Përgjatë 23 viteve që banka operon në Shqipëri, ka mbështetur qindra projekte të fushave të ndryshme, por ky projekt është i veçantë, sepse sjell ndryshe dhe në një mënyrë origjinale këngë të dashura për të gjithë shqiptarët, duke mundësuar kështu ruajtjen e vlerave artistike të traditës sonë. Unë jam shumë e lumtur që Alpha Bank Albania mbështeti realizimin e këtij projekti unik dhe jam e sigurt se kjo përmbledhje muzikore do të zërë mirë vend në shijet e çdokujt që do ta dëgjojë, si një vlerë e shtuar, që do t’i rezistojë të gjitha kohëve, në arkivën dhe në memorien tonë artistike”.  

“Ta dish” risjell në interpretimin e Gëzim Myshketës 10 prej këngëve të thesarit shqiptar, ndër to “Margjelo”, “Luleborë”, “Dua më shumë Shqipërinë”, “Asaman, o trëndafili i çelës”, “Kroi i fshatit tonë”, “Unë ty moj të kam dashtë” apo dhe “N’at zaman t’njasaj furie... ta dish”, prej së cilës ka marrë edhe emrin projekti.

Ajo që bie në sy është se pjesët e përzgjedhura muzikore nuk janë përqendruar vetëm në një krahinë të Shqipërisë, por shtrihen që nga Shkodra, deri në Shqipëri të Mesme, madje përmes një kolazhi arbëresh, kalojnë përtej Adriatikut. I përkasin kohëve të ndryshme, (që prej mesit të viteve 1880, 1930, 1946 e 1964) e autorëve të ndryshëm (Palok Kurti, Prenk Jakova, Kristo Kono, Xhet Bebeti, Neço Muko, Spirdon Ilo e Simon Gjoni.)

Gëzim Myshketa, bariton i njohur, i cili pasi u diplomua me nota të shkëlqyera në konservatorin “Arrigo Boito” në Parma ka ndjekur disa mastera specializimi me mjeshtrit e Akademisë “La Scala” në Milano si Luciana Serra, Leo Nucci etj. dhe ka fituar disa konkurse prestigjioze ndërkombëtare, zgjodhi si bashkëpunëtor për këtë projekt kompozitorin Kushtrim Gashi, themelues dhe dirigjent i Orkestrës së të Rinjve të Kosovës, duke vazhduar me Abigeila Voshtinën, violiniste, që prej dhjetorit 2013 drejtoreshë artistike në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit; Elda Laro, pianiste dhe dirigjente, një nga artistet më të gjithanshme të brezit të saj; dhe Igert Zeqiri, violonçelist, fitues i shumë çmimeve, lektor dhe bashkëpunëtor në shumë projekte artistike elitare.

Përveç tingujve të bukur, frymëzuar nga tradita e të përjetësuara në një CD, dashamirësit e artit dhe muzikës do të mund të zbulojnë përmes libërthit shoqërues detaje interesante nga historiku i disa prej kryeveprave të këngës tradicionale shqiptare. Që nga historia tërheqëse që fshihet pas këngës “Ta dish...”, deri te prapaskenat e krijimit të disa prej kryeveprave të muzikës sonë.

Ka shumë për të lexuar, por siç shkruan dhe vetë Myshketa në fundin e parathënies së tij në libërth: “Aty ku nis kënga të ligjërojë me gjuhën e saj, fjalët ndoshta janë të tepërta, ndaj s’na mbetet gjë tjetër, veçse t’ju urojmë dëgjim e lexim të mbarë!”

Kultura, arti, tradita janë Alpha, ta dish...!

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Turqia do të furnizojë me energji elektrike Sirinë, kërkon të shfrytëzojë naftën dhe gazin natyror

Turqia do të furnizojë me energji elektrike Sirinë, kërkon të shfrytëzojë naftën dhe gazin natyror