/ ATSH / - Në datat  27-28 prill, në ambjentet e Galerisë Kombëtre të Arteve ne Tirane po mbahet mbledhja e radhës e Traduk-it, rrjetit evropian të botimeve.
Përfaqësuesit më të lartë të Traduk-it, anëtarët e rrjetit, drejtues të lartë të artit dhe kulturës, të Ministrisë së Jashtme Federale të Gjermanisë, Monika Schoeller, drejtuesja e Fondacionit S. Fischer Stiftung, Antje Contius, përfaqësues të KulturKontakt dhe ProHelvetia Fondation, etj, kanë mbërritur së fundmi në kryeqytet për të qënë të pranishëm në këtë aktivitet.

Zyra për shtyp e Ministrisë së Kulturës bën me dije se në këtë mbledhje pune do të diskutohet për botimet dhe përkthimet e librave, shtëpitë rezidenciale të shkrimtarëve dhe përkthyesve, projektet e festivaleve të ndryshme të librit, Panairin e Librit "Leipzig 2016", politikat e botimeve në të ardhmen etj.

Sakaq, Ministria e Kulturës sqaron se marrëdhënia me Traduki-n, që nga anëtarësimi i Shqipërisë mbetet një hap i rëndësishëm që e afron Shqipërinë me rajonin dhe Evropën, në frymën e një hapjeje dhe qasjeje të një filozofie bashkëpunimi me partnerët në fushën e letrave.

Vetë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, do të përshëndesë takimin ditën e martë, datë 28 prill, në ceremoninë e nënshkrimit të Rumanisë, si anëtari më i ri i rrjetit Traduki.