Stina e dikton se ka ardhur koha për mbjelljen e kulturave të tjera bujqësore, por fermerët në fshatin Kafaraj të Fierit, përballen me vështirësi ekonomike pas humbjeve të mëdha që pësuan me prodhimin e Lakrës së Brukselit.

Përmbytjet e shkaktuar me daljen nga shtrati të lumit Vjosë rreth dy muaj më parë kanë lënë pasoja të mëdha në kulturat e stinës në fshatin Kafaraj në Frakull të Fierit. Janë plot 7 hektarë sipërfaqe e kultivuar me lakër Brukseli e cila është tërësisht e kalbur.

"Jemi afërsisht pas dy muajsh nga dalja e lumit, kisha 1 ha lakra, rreth 35 mln lekë të humbura. Kane qenë 50 dynym lakër, shumica i ka prishur se është koha e mbjelljes së shalqirit",- tha një fermer.

"Hidh e mos merr hidh e mos merr dhe bankë të ishim ne do falimentonim. Veproni për fermerët se është gjendja shumë e ndërlikuar",- tha një tjetër fermer.

"Kisha 5 dynym lakër, e gjitha e dëmtuar nga përmbytja. Dëmi 10-12 milion lekë të vjetra në shitje. Në mbjellje 4 milion të vjetra",- u shpreh një tjetër.

Ka kaluar një muaj nga takimi i fermerëve me ministrin e bujqësisë dhe përfaqësuesve të qeverisë, por askush nuk ka zbritur në terren për të llogaritur dëmet.

"As kanë ardhur dhe me ç’shikoj unë as kanë ndër mend të vijnë ata. Data 4 shkurt që ishim ne, sa ka sot 3 mars, një muaj sot ata s’kanë ardhur. Kemi humbur çdo shpresë. Hall të flasim hall mos flasim jo, se na thonë pse fole, meqë e bëtë mediatike tani s’ju japim nga inati. E kupton çfarë situate jemi neve",- tha një fermer.

Fermerët e fshatit Kafaraj kërkojnë ndërhyrje urgjente nga qeveria, jo vetëm për dëmshpërblimin e menjëhershëm, por edhe për marrjen e masave parandaluese që situata të mos përsëritet çdo vit.