TIRANE- Gjykata e Posaçme la sot në burg, 3 zyrtarët e policisë që sipas SPAK  ndihmuan grupet kriminale në Sarandë për të kultivuar kanabis dhe për ta trafikuar drejt Greqisë.

Tre shefat e policisë u pezulluan nga detyra, por vetëm 2 prej tyre janë në pranga, Ervis Alisinanaj, shef krimesh ne Lushnje dhe Shkëlzen Ruska, shef krimesh në Himarë. Ndërsa Elvis Dervishi, shef i kufirit në Sarande është në kërkim.  I arrestuar është edhe Erdit Hazizaj, ish shef në disa komisariate në vend, kandidat i PD së Berishës për bashkine Roskovec në zgjedhjet e vitit 2023. 

Sipas SPAK policët e inkriminuar kanë përdorur SKY ECC dhe flisnin me grupet kriminale për t’i siguruar mbështetje, për t’i këshilluar e për t’i treguar për aksionet antidrogë, gjatë periudhës 2019-2021. 

SPAK zbuloi edhe grupin kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës të cilit i kanë shërbyer policët, por të gjithë janë në kërkim, bashkë me 2 drejtuesit e grupit kriminal në Sarandë, Kristi Qirici dhe Eldjan Allushi. Të tjerë anëtarë në kërkim të grupit, janë Benci Toska, Shkëlzen Kraja, Xhino Nebi, Luiz Bala.

Akuzat e ngritura ndaj grupit të zyrtarëve dhe të trafikantëve për hetimin e nisur në vitin 2022 e që ende vijon, janë për kultivim kanabisi, grup i strukturuar kriminal, shpërdorim detyre, ndërsa me vendim të GJKKO-së, në total u lëshuan 10 masa arresti. 

Sipas dosjes së SPAK, shefat e policisë kanë folur në SkyEcc me kreun e bandës Kristo Qiricin. E këshillonin të gjente lidhje pranë SHISH pasi agjentët sekretë dërgonin informacione për parcela dhe policia ishte e detyruar të ndërhynte.

Në një rast tjetër, flitet edhe se si t’i shpëtojnë përgjegjësisë ligjore anëtarët e grupit që binin në pranga, siç është arrestimi me armë pa leje i njërit prej tyre i cili u lirua pasi policët këshilluan që armën t’ia lë një të mituri. 

Vetëm në një episod ky grup ka trafikuar 1.7 mln euro kanabis me ndihmën e 4 zyrtarëve të lartë të policisë, por që u zbulua dhe u kap në Greqi, ku u arrestuan 2 italianë. Një pjesë të mirë të të ardhurave nga ky aktivitet i paligjshëm i kanë investuar në pasuri të paluajtshme, ndaj po hetohen edhe për pastrim parash.

Të akuzuarit si anëtarë të trafikut të drogës
- Kristo Qirici alias Jetmir Hoxhaj aliaj Jetimir Qirici - Në kërkim
- Eldjon Alushaj alias Kosta Alushaj - Në kërkim
- Benci Toska  - Në kërkim 
- Shkelzen Kraja - Në kërkim 
- Xhino Nebi - Në kërkim 
- Luiz Bala alias Edmond Sinanaj - Në kërkim
- Erdit Hazizaj -  ish shef në disa komisariate në vend - I arrestuar 
- Shkelzen Ruska - shef krimesh në Himarë, - I arrestuar 
Elvis Dervishi, - shef i kufirit në Sarandë - Në kërkim 
-Ervis Alisinanaj - shef krimesh ne Lushnje  -I arrestuar 

 

 

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë