Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka vendosur vijimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” për tre persona nën hetim, për Gerald Stamollën, punonjësin e burgjeve Ndriçim Kroi dhe një 36 vjeçareje, Esmeralda Komici, të cilët bashkëpunonin për t’u futur rregullisht drogë në paraburgimin e Elbasanit.
Komici kishte brenda ambienteve të burgut të dashurin e saj, Gerald Stamolla, i cili pasi e merrte kanabisin apo kokainën e shiste tek të paraburgosurit e tjerë. Ky aktivitet, i zgjatur prej muajsh, i sillte përfitime policit të burgjeve për çdo herë që fustë lëndën narkotike në qeli 100 deri në 200 euro, në varësi të llojit dhe sasisë së drogës.
Kroi për të të kamufluar aktivitetin e tij të paligjshëm gjatë orëve që nuk ishte në punë bënte shitësin ambulant në qytetin e Elbasanit duke shitur telefona të përdorur dhe sende të tjera me vlerë. Këtu ai merrte porosi edhe nga të afërm të tjerë të tjerë të paraburgosurve, përveç drogës që merrte nga Esmeralda Komici.
Njoftimi i Gjykatës së Elbasanit:
‘Në bazë të kërkesës suaj ju informojmë se, nga kontrolli ushtruar në sistemin e menaxhimit të çështjeve gjyqësore rezulton se çështja me objekt" Verifikim të kushteve të caktimit të masës së sigurimit dhe marrjes në pyetje të personave nën hetim " është shqyrtuar më datë 24.01.2026 me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare znj. Suela Lika. Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor gjykata vendosi:
1. Vazhdimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim N.K., caktuar me vendimin Nr.748 datë 19.12.2025 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
2. Vazhdimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim G.S., caktuar me vendimin Nr.748 datë 19.12.2025 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
3. Vazhdimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim E. K., caktuar me vendimin Nr.748 datë 19.12.2025 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
4. Urdhërohen personat nën hetim të qëndrojnë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, me qëllim që të jenë në dispozicion të organit procedues.
5. Ngarkohet prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me ekzekutimin e këtij vendimi.
6. Shpenzimet procedurale siç janë bërë. Shpërblimi për avokatin e caktuar kryesisht nga gjykata, R.H, parapaguhet nga Zyra e Buxhetit Gjyqësor.
7. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, brënda 5 ditëve, nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar. U shpall më 24.01.2026
Komente






