TIRANE- Katër djem nga Fushë-Kruja dhe një burrë nga Kosova, po me profesion taksist në Angli, janë dënuar me 27 vjet burg për trafik kokaine brenda Anglie. Hetimi, që ka zgjatur rreth tre muaj, ka shpërbërë bandën e shqiptarëve të cilët vepronin në zonën e Norwich dhe ku lëndën e kushtueshme e sillnin nga Londra.

Të dhënat e botuara në mediat vendase bëjnë me dije se shqiptarët e arrestuar dhe tashmë të dënuar ishin që të gjithë me dokumente të rregullta në Angli, ndërsa që të gjithë ishin të punësuar dhe mburoja ishte pikërisht njëri nga shqiptarët që rezultonte të ishte truprojë e një lokali nate.