Nëntë persona u arrestuan mëngjesin e sotëm në Itali si pjesëtarë të një grupi të trafikut të kokainës në vendin fqinj. Mediat italiane shkruajnë se mes të arrestuarve janë dhe 3 shqiptarë.
Një apartament në Borgo Bovio në periferi të Terni ka shërbyer si baza logjistike e një rrjeti multietnik të trafikantëve të kokainës. Sipas hetuesve, grupi kishte në qarkullim disa mijëra euro në muaj ndërsa sot u godit nga policia lokale.
Me finalizimin e këtij operacioni të koduar “Charon” në pranga përfunduan shtetas nga Afrika e Jugut, italianë dhe tre shqiptarët. Apartamenti që u kontrollua nga policia, sipas hetimeve është pronë e një banori tridhjetë vjeçar, i arrestuar kohët e fundit.
Në shtëpinë e të riut të arrestuar, sipas hetimeve të kryera gjatë vitit 2020, grupi i trafikuesve takoheshin, bënin ujdi dhe strategji për biznesin e tyre madje në prani të pronarit dhe një vajze të re. Droga, me një kosto prej 70 euro për dozë, u ishte shitur klientëve edhe pranë lokaleve në qendër të qytetit.
Sa i përket shqiptarëve të arrestuar, ata janë banues në Terni ndërsa dy prej tyre janë futur në Itali në mënyrë të paligjshme. Sipas policisë, xhiroja e pronarit tridhjetë vjeçar italian të banesës është rreth 8 mijë euro në muaj.