Uniformat blu të policisë së Shkodrës kanë kapur sot trafikuesin e mjeteve motorike luksozë nga Mali i Zi në Shqipëri.

Pas operacionit të koduar “LUKS” përmes të cilit u sekuestruan 19 automjete të vjedhura luksoze, policia ndaloi Ritvan Hasaj 25-vjeç, pasi ai ishte shpallur në kërkim si i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të automjeteve luksoze.

Policia shton në një njoftim për median se, Hasaj është kapur në vijim të operacionit të 7 prillit  të koduar "LUKS" , ku Specialistët e Sektorit Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore Policisë Shkodër bënë sekuestrimin e mjeteve luksoze.

Bujar Hasaj, një person që njihej në Shkodër si tregtar makinash u arrestua, teksa është provuar implikimi i tij në një grup kriminal që trafikonte mjete motorike. Hysa, si kreu i këtij grupi kishte ngritur një “zinxhir kriminal” ku persona të ndryshëm vidhnin për llogari të tij automjete luksoze në vende të ndryshme të Bashkimit Europian dhe në vendet e Ballkanit, dhe më pas ia shisnin ato Hasajt.

Ky i fundit në bashkëpunim dhe me një shtetas nga Mali i Zi,kishin ngritur në prapavijë dhe një industri të plotë falsifikimi, duke filluar nga falsifikimet me numrat e shashisë për mjetet luksoze të vjedhura, dokumentat e tyre e shumë, veprime të ndryshme. E gjithë procedura kryhej në servise të ndryshëm, kuptohet kundrejt një pagese financiare, ku numrat e shasive të makinave të ligjshme dhe të përdorura në vendet e Bashkimit Europian, injektoheshin duke u vendosur në numrat e shasive të makinave të vjedhura.

Më pas Bujar Hasa, tashmë i arrestuar dhe me 15 persona të tjerë, arrinte t’i fuste këto automjete nga pika e kalimit kufitar Hani i Hotit, duke përdorur si ndihmë disa punonjës të policisë pranë kësaj pike doganore.

Më tej pasi makinat hynin në Shqipëri procedura shkonin zinxhir, duke filluar nga zhdoganimi i mjeteve, rregjistrimi i tyre në Drejtorinë e Qarkullimit Rrugor, e deri tek veprimet e Hasës me persona të tjerë, duke nënshkruar kontrata shitje noteriale, mbi bazën e dokumenteve që kishte falsifikuar.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)