Gjykata e Posaçme ka shpallur të pafajshëm ish-efektivin Adriatik Logli, që u akuzua në kuadër të një operacioni për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal të kultivimit dhe trafikimit të drogës me mbi 40 të arrestuar.
Shtetasi Xhuliano Aliu u dënua me 5 vjet, ndërsa Kristi Dautaj me 8 vjet heqje lirie. Po këtë të premte në një proces tjetër të ndarë, u shpall vendimi për tre të pandehur të tjerë, përkatësisht Bujar Brahaj që u dënua 10 vite burg, Ertjan Pjetërgjokaj me 8 vite dhe Elton Ukaj me 7 vite burg, të cilët nga ky dënim përfitojnë zbritjen me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Fejzo Meçaj me detyrë punonjës policie në Komisariatin e Policisë Tepelenë, që është dënuar më herët dhe Adriatik Logli me detyrë punonjës policie në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër akuzoheshin për shpërdorim detyre dhe fillimisht ndaj tyre u vendos masa e arrestit në burg. Gjatë hetimeve, SPAK tha se evidentoi 13 episode kriminale të trafikimit, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve si dhe kultivimit të bimëve narkotike në Vlorë, Tepelenë, Durrës, Tiranë dhe Lezhë, nga 5 grupe kriminale.
Veprat e dyshuara kriminale janë kryer gjatë periudhës nga muaji mars deri në nëntor të vitit 2020. Sipas SPAK, Fejzi Meçaj dhe Adriatik Logli, kanë lehtësuar punën e trafikantëve për trafikimin e lëndëve narkotike. Pjesa tjetër e anëtarëve të këtyre grupeve prej 32 personash u dënuan në total me 200 vite e 6 muaj burg.
Komente










