Florjan Vuka, i njohur edhe me mbiemrin Vathaj, është ekstraduar nga Greqia drejt Shqipërisë. Ai ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme si pjesë e grupit kriminal të Jetmir Papës, për trafik ndërkombëtar droge.

Vuka pritet të dalë përpara Gjykatës së Posaçme për vlerësimin e kushteve të masës së sigurisë. Alma Kodraliu është caktuar nga shorti elektronik si gjyqtarja e cila do të vendosë vijimin e masës “arrest në burg”, të vendosur më herët ndaj Vukës, apo nëse do të caktojë një masë më të lehtë.

Grupi kriminal, i cili vepronte në Amerikën Latine, Belgjikë dhe Holandë dhe që në të paktën 8 episode përgjatë viteve 2019-2021 ka trafikuar sasi të mëdha kokaine, është ende duke u hetuar nga prokurori Alfred Shehu.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, anëtarët e këtij grupi kanë trafikuar në disa episode rreth 7.5 tonë kokainë nga Amerika Latine në Europë.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë