Një rrjet kriminal i trafikut të personave është shkatërruar këtë herë nga Policia e Spanjës në bashkëpunim me Interpol, ku të paktën 15 persona kanë përfunduar në pranga. Siç njoftojnë mediat spanjolle shtetasit u arrestuan në tre provinca të ndryshme në Spanjë, ku 8 prej tyre u kapën në Palma de Mallorca, 5 në Alicante dhe 2 të tjerë në Las Palmas de Gran Canaria.Të 15 të arresturit akuzohen për trafikim dhe shfrytezim prostitucional .
Ndërkohë mësohet gjithashtu se organizata kriminale kishte anëtarë që e ushtronin aktivitetin e tyre në zonat e Libisë dhe në Nigeri . Bëhet e ditur se gjatë kontrollit policia zbuloi se mbaheshin peng dhe 5 gra të cilat i detyronin të prostituonin në disa zona në shtetin spanjoll. Gratë detyroheshin t’u jepnin tutorëve të tyre një shumë prej 35 mijë euro në këmbim të lirisë dhe gjatë gjithë kohës ishin në presion.
Sipas mediave vendase, në total përgjatë një viti policia spanjolle ka kryer 536 operacione për zhdukjen e shfrytëzimit seksual. Në vitin e fundit mendohet se 1219 femra janë trafikuar për qëllime prostitucioni në Spanjë, kryesisht me origjinë nga Spanja, Shqipëria, Nigeria dhe Kina ndërsa bëhet e ditur se 290 viktima të këtij shfrytëzimi, janë liruar gjatë aksioneve të policisë. Ndërkohë, autoritetet spanjolle, ende nuk kanë bërë publike identitetet e të arrestuarëve, por bëjnë me dije se po vazhdojnë hetimet për të zbuluar anëtarë të tjerë të përfshirë në aktivitetin e këtij grupi kriminal.