Pas alarmit SOS të lëshuar nga anija “Norman Atlantic” e përfshirë nga flakët gjatë lundrimit në linjën Igumenicë-Ancona janë përfshirë në operacionin e evakuimit të pasagjerëve dhe forcat e marinës shqiptare nën koordinimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Prej orëve të para të mëngjesit e përfshirë në operacion ndodhet anija e komandës detare “Butrinti” si dhe në gatishmëri qëndron anija “Iliria”. Ministri i Mbrojtjes Mimi Kodheli ka shprehur gatishmërinë maksimale të palës shqiptare për të ndikuar në këtë operacion tre palësh, ku janë përfshirë forcat greke e ato italiane.

...
Në operacionin për evakuimin e personave të rrezikuar pas zjarrit në tragetin “Norman Atlantic” i linjës Igumenicë (Greqi) - Ancona (Itali) janë përfshirë dhe forcat e Marinës shqiptare.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, rreth orës 06:50 të kësaj të diele Qendra Kombëtare e Kërkim Shpëtimit në Shqipëri është njoftuar nga Pireu se në hambarin e tragetit Norman Atlantic ka rënë zjarr, ndërsa kapiteni i tragetit kish lëshuar alarmin SOS.

Pas alarmit SOS, Komanda e Forcës Detare në Shqipëri ka nisur anijen “BUTRINTI” drejt zonës së operacionit, ndërsa forcat e Marinës shqiptare janë angazhuar në shuarjen e flakëve dhe evakuimin e njerëzve.

Në koordinim të forcave shqiptare bashkëngjitur operacionit me palën greke dhe italiane janë vendosur dhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e cila ka mbajtur komunikim të vazhdueshëm me homologen italiane si dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, Jeronim Bazo.

Për ngjarjen ka reaguar dhe Ministria jonë e Jashtme, e cila pas informacioneve të marra nga ambasada në Athinë thotë se në tragetin “Norman Atlantik” janë 22 shtetas me pasaportë shqiptare. Po ashtu shpjegon ministria, numri i shtetasve shqiptarë në bordin e anijes pritet të jetë i madh nga mbajtja e dy shtetësive nga shqiptarët që ndodhen në Greqi dhe Itali.
 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)