ITALI - Trageti “Ionian Spirit” i linjës Vlorë-Brindizi mbetet i bllokuar prej disa javësh në Gjirin e Levantes, pranë portit të Brinizit në Itali. Shkak për këtë situatë është bërë fakti se prej disa muajsh ekuipazhi i tragetit nuk paguhet. Pjesë e ekuipazhit mësohet të jenë edhe disa shtetas shqiptarë.

Marinarët dhe komandanti i anijes kanë kërkuar mbështjetje nga bashkia e Brindizit, ndërsa sot kryetari i bashkisë, Mimmo Consales është takuar me ekuipazhin e tragetit të linjës Vlorë-Brindizi.

Kreu i bashkisë pas takimit deklaroi se do të kontaktojë Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe do të përpiqet që së bashku të gjejnë një zgjidhje për këtë çështje.

Shkaqet e ndalimit të anijes, e cila është e vendosur në Brindisi nga 17 shtatori, fillimisht ishin për shkak të kërkesës nga një avokat në gjykatën e Brindizit, të cilit nuk i ishte paguar tarifa nga pronari i tragetit, për një çështje që ai kishte mbrojtur disa vjet më parë në Romë, dhe për një kërkesë sekuestro të një shoqërie malteze.

Ndërkaq me pretendimet e marinarëve për mosmarrjen e pagave po merret Federata Ndërkombëtare e Sindikatave të Marinarëve, që në raste si ky gjithashtu ofron ndihmë ligjore, veçanërisht kur ata ndodhen në portet e huaja.

Por rasti i tragetit “Ionian Spirit” nuk është i vetmi në muajt e fundit. Në Itali shumë anije janë bllokuar për shkak të krizës të transportit detar.

(j.d/Gre.M/Shqiptarja.com)