Një aksident i rëndë ajror ka ndodhur në qytetin Tomblaine, në lindje të Francës, ku një avion civil i përdorur nga një shkollë parashutizmi u rrëzua pak çaste pas ngritjes nga aeroporti Nancy-Essey. Si pasojë e përplasjes humbën jetën të 11 personat që ndodheshin në bord.
Sipas autoriteteve lokale, mes viktimave janë piloti, pesë studentë dhe pesë instruktorë të shkollës së parashutizmit. Mësohet se studentët do të kryenin hedhjen e tyre të parë me parashutë, ndërsa familjarët e tyre ndodheshin në aeroport për ta ndjekur këtë moment.
Policia ka rrethuar zonën dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet pranë aeroportit në departamentin Meurthe-et-Moselle, ndërsa ministri francez i Transportit, Philippe Tabarot, e cilësoi ngjarjen si një "tragjedi të tmerrshme". Në vendngjarje është nisur edhe ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez.
Prefekti i Meurthe-et-Moselle, Yves Seguy, bëri të ditur se nuk ka persona të tjerë të lënduar në tokë, megjithëse avioni u rrëzua pranë një zone të banuar dhe një qendre tregtare.
"Avioni ra pothuajse vertikalisht në skaj të aeroportit, shumë pranë një kompleksi banimi. Fatmirësisht nuk pati viktima të tjera," deklaroi ai për mediat franceze.
Sipas presidentit të Degës së Urdhrit të Infermierëve të Pavarur në Meurthe-et-Moselle, Thierry Pechey, gjysma e parashutistëve që humbën jetën ishin infermierë.
"Ishte e qartë se diçka nuk shkonte. Kur mbërrita në vendngjarje, u përpoqa të ndihmoja në shuarjen e flakëve, por kuptuam menjëherë se nuk kishte asnjë të mbijetuar. Përplasja kishte qenë tepër e fortë", rrëfeu ai.
Autoritetet franceze kanë ngritur një grup specialistësh për të hetuar shkaqet e aksidentit, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.
Komente






