KUKES - Tragjedia ka pushtuar sot rrugët e Shqipërisë. 11 persona kanë humbur jetën në dy aksidente tragjike të ndodhur në Kukës dhe në Sarandë ditën e sotme. Aksidenti i parë ndodhi në Kukës rreth orës 06:30, ku furgoni me pasagjerë i cili po udhëtonte nga fshati Shtrezë drejt Kukësit ka dalë nga rruga duke rënë në një greminë 150 metra poshtë, dhe si pasojë humbën jetën 6 persona, ndërsa 5 të tjerë janë plagosur. Por rreth orës 15:15 ndodhi një tjetër aksident tragjik në Qafë Botë të Sarandës, ku dy makina janë përplasur me pasojë vdekjen e 5 personave.

Mësohet se në aksidentin automobilistik të ndodhur në vendin e quajtur "Ura e Bogazit", e cila ndodhet midis Konispolit dhe Livadhjasë, u përfshinë 2 automjetet tip “Renault” me targa AA875BG, i cili po udhëtonte me drejtim Konispol-Sarandë dhe “Alfa Romeo” me targa AA493IE me drejtim Sarandë-Konispol. Si rezultat i aksidentit kanë humbur jetën 3 personat që ndodheshin në automjetin tip “Renault” dhe 2 personat që udhëtonin me mjetin “Alfa Romeo”.  Nga drejtori i spitalit të Sarandës u tha se dyshohej edhe për një të plagosur tjetër që mund të jetë dërguar drejt Greqisë, në Spitalin e Filatit, por burime nga policia konfirmojnë se nuk ka të plagosur nga ky aksident.

Personat që kanë humbur jetën si pasojë e përplasjes së fortë të dy automjeteve janë dy vëllezërit Fejzo Sulo dhe Krenar Sulo; Petro Meçi dhe Kristaq Meçi, babë e bir; dhe Taip Madani, ish-valltar i Konispolit.

Ndërsa, aksidenti i ndodhur në aksin Kukës-Topojan, rreth 20 kilometra larg qytetit të Kukësit i mori jetën: Majlindës, e cila po priste të bëhej nënë; Meleqes studentes që ëndërronte të bëhej financiere e mirë; Zamirit, drejtorit të shkollës në Topojan;  Bashkimit 21 vjeç i cili drejtonte furgonin, por edhe Zekriut, dhe Feimit.
 
Në Spitalin e Traumës 2 të plagosur po luftojnë me vdekjen dhe 2 të tjerë mbeten në gjendje të rëndë. Një djalosh rreth të 20-tat ndodhet në spitalin e Kukësit dhe nuk është transportuar në Tiranë.

ORA 22:10 FLET I MBIJETUARI I AKSIDENTIT NGA SPITALI I KUKËSIT
Servet Hoxha është një nga 5 të mbijetuarit e aksidentit tragjik në Kukës, ku humbën jetën 6 persona. Ai tregon se rruga ka qenë shumë e keqe, ndërsa momentin e aksidentit nuk e mban mend.
 
“Rruga ishte e keqe, momentalisht nuk mbaj mend asgjë. I kam parë të tjerët, por nuk mbaj mend asgjë, nuk fliste asnjëri, ishin në gjendje shumë të rëndë. S’kanë qenë të gjithë të një fshati. Kanë qenë nga fshati Shtrezë, andej më sipër”.



ORA 17:30 KRYETARJA E BASHKISË SË KONISPOLIT: AKSI RRUGOR NUK PARAQITET PROBLEMATIK
Kryetarja e bashkisë së Konispolit, Mimoza Arapi, në një lidhje telefonike për “A1 Report” tha se ky aks rrugor nuk paraqitet problematik, por do të pritet deklarata zyrtare e policisë lidhur me shkaqet e këtij aksidenti.
 
“Këto momente janë të rënda për të gjithë sidomos për familjet, i shpreh ngushëllimet familjarëve të viktimave. Aksi rrugor nuk njihet për aksidente. Por ky është rasti i dytë ku para pak kohësh ka ndodhur një tjetër aksident. Përgjithësisht nuk është aks që është shoqëruar nga aksidente, nuk e di, policia do të shprehet për aksidentin”, tha Mimoza Arapi.

ORA 17:00 TRAGJEDI NË SARANDË, VDESIN 5 PERSONA, EMRAT E VIKTIMAVE
Një aksident i rëndë ka ndodhur në Qafë Botë të Sarandës, ku kanë humbur jetën 5 persona. Bëhet e ditur se, makinat e përplasura janë një "Alfa Romeo" dhe një makinë tip "Renault".

Viktimat mësohet se janë Fejzo Sulo, 65 vjeç, Krenar Sulo, 43 vjeç, Kristaq Meçi, 38 vjeç, Petro Meçi 67 vjeç (babë e bir) dhe Taip Madani 60 vjeç, valltar i njohur i Konispolit dhe i Çamërisë. Ndërkaq sipas drejtorit të Spitalit të Sarandës, Arjan Kalcuni u dyshuar për një të plagosur që mund të ishte dërguar për në Greqi, por policia konfirmoi se nuk ka të palgosur.

aksident sarande me logo
(Në foto: Pamje nga aksidenti i ndodhur në Qafë Botë të Sarandës Foto të tjera

SARANDE/ TE VDEKUR
Taip Madani, 60 vjeç, banues në fshatin Shalës Komuna Markat; drejtonte mjetin "Renault".
Fejzo Sulo, 65 vjeç, banues në fshatin Shalës Komuna Markat.
Krenar Sulo, 43 vjeç, banues në fshatin Shalës Komuna Markat.
Kristaq Meçi, 38 vjeç, banues në fshatin Dermish Komuna Dhiver; drejtonte mjetin "Alfa Romeo".
Petro Meçi, 67 vjeç,banues në fshatin Dermish Komuna Dhiver.

viktimat e aksidenteve
(Emrat e viktimave dhe të plagosurve të aksidentit të Kukësit dhe të aksidentit të Sarandës)

TRAGJEDI NE KUKES, FURGONI BIE NGA 150 METRA, VDESIN 6 PERSONA
Aksidenti i ndodhur në në orën 06:45 minuta të mëangjesit në aksin Kukës-Topojan, rreth 35 kilometra larg qytetit të Kukësit i mori jetën: Majlindës, e cila po priste të bëhej nënë; Meleqes studentes që ëndërronte të bëhej financiere e mirë; Zamirit, drejtorit të shkollës në Topojan;  Bashkimit 21 vjeç i cili drejtonte furgonin por edhe Zekriut, dhe Feimit.

Me të mësuar aksidentin dy helikopterë u nisën nga Tirana drejt Kukësit për të bërë transportimin e të plagosurve rëndë. Në mëngjes Drejtoresha e Spitalit të Kukësit, Hafije Zeneli në një prononcim telefonik për Tv "A1 Report" u shpreh se të plagosurit më rëndë ishin dërguar në Tiranë për mjekim më të specializuar.

(VIDEO/Speciale -A1Report në vendin e aksidentit në Kukës)

ORA 15:00 DY PREJ TE PLAGOSURVE NE KUKES, NE GJENDJE KRITIKE
Rreth orës 06:30 e mëngjesit të sotëm, furgoni me pasagjerë i cili po udhëtonte nga fshati Shtrezë drejt Kukësit ka dalë nga rruga duke rënë në një greminë 150 metra poshtë, dhe si pasojë humbën jetën 6 personave, ndërsa 5 të tjerë janë plagosur.

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj udhëtoi drejt Kukësit ndërkohë që në një intervistë telefonike për "A1 Report" tha se dy prej të plagosurve në spitalin e traumës ishin në gjendje kritike.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se shkak i këtij aksidenti është humbja e kontrollit të mjetit nga shoferi. Ndërkohë burime hetimore bënë të ditur se shkak kishte  mund të ishte një defekt teknik.

Viktimat mësohet se janë nga fshati Shtrezë, komuna Shishtavec e Kukësit. Një pasagjer i cili ka mbijetuar në aksident thotë se në momentin kur ndodhi aksidenti në makinë ishin 13 persona ndërsa zyrtarisht policia informoi se në furgon udhëtonin 11 persona.

Pamjet e mbërritura në redaksinë e "A1 Report" dhe "Shqiptarja.com" dëshmojnë sa i rëndë ka qenë aksidenti.

TE VDEKUR
Majlinda Çuni, 23 vjeçe,  4 muajshe shtatzënë.
Zekri Shehu, 65 vjeç,
Feim Biba, 58 vjeç 
Zamir Karanxha, 42 vjeç(Drejtor i shkolles se Topojanit)
Bashkim Çuni, 21 vjeç, (Drejtuesi i mjetit, kunati i Majlindës)
Meleqe Seriani, 22 vjeçe

TE PLAGOSUR
Petrit  Mustafa, 26 vjeç në gjëndje të rëndë ka mbetur i paralizuar
Zyrije Kovaçi, 74 vjeçe, ka politraum por është jashtë rrezikut
Xhevahir Çuni, 23 vjeç, në gjëndje kritike
Rustem Bibaj 24 vjeç në gjendje të rëndë ka mbetur i paralizuar
Servet Hoxha, 21 vjeç

viktimat plagosur
(Në foto: 2 prej viktimave të aksidentit, fugoni i përplasur dhe i plagosuri Xhevair Çuni)  Foto të tjera


ORA 15:00 ZV/MINISTRI RRJEPAJ: NJËRI NGA TË PLAGOSURIT NË GJENDJE TË RËNDË
Në orën 15:00 zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodjan Rrjepaj, ka deklaruar se, njëri prej të plagosurve në aksidentin e Kukësit ndodhet në gjendje të kritike për jetën dhe është me frymëmarrje të drejtuar.

“Sapo u bë edhe një mbledhje me gjithë ekipet mjekësore për të aksidentuarit e sotëm në Kukës. Përsa i përket të aksidentuarve të Kukësit, 3 prej tyre janë në reanimacion, një prej tyre është në gjendje kritike, dy të tjerë janë në gjendje të rëndë, ndërsa një person tjetër është në gjendje më të mirë”, tha Rrjepaj.  

Ai ka deklaruar se, familjarët e të plagosurve janë të informuar për gjendjen. “Nuk mund të ju them emrat se kush është në gjendje të rëndë, por familjarët kanë të gjitha informacionet dhe rrinë në kontakt”, tha zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodjan Rrjepaj.

ORA 13:00 DY TE PLAGOSUR NE GJENDJE TE RENDE, XHEVAHIR ÇUNI NE SALLEN E OPERACIONIT
Xhevahir Çuni, 23 vjeç dhe Majlinda Çuni, 23 vjeçe ishin një çift i ri të cilët për 5 muaj prinsin të bëheshin prindër, të një fëmije. Aksidenti tragjik që ndodhi mëngjesin e sotëm i mori jetën Majlindës, 4 muajshme shtatëzënë ndërsa Xhevahiri aktualisht ndodhet në sallën e operacionit në spitalin e traumës në Tiranë. 

Mjekët po bëjnë të pamundurën për ta shpëtuar të riun. Pas ndërhyrjes kirurgjikale në fshikëzën e urinës ai i është nënshtuar dhe një ndërhyrjeje tjetër kirurgjikale pasi ka dëmtime në kocat e legenit.

Në spitalin e Traumës ndodhen edhe Petrit Mustafa, 26 vjeç dhe Rustem Bibaj, 24 vjeç. Të dy i janë nënshtuar skanerit dhe mjekët thonë se janë në gjëndje të rëndë dhe nëse  mbijetojnë ato do të mbeten të paralizuar pasi kanë dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore. Ndërsa e moshuara ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

ORA 12:20 AKSIDENTI, POLICIA: SHKAK HUMBJA E KONTROLLIT NGA SHOFERIT
Policia e Kukësit ka bërë publike të dhënat e fundit në lidhje me aksidentin e rëndë të ndodhur në fshatin Topojan. “Ditën e sotme rreth orës 06:45 minuta, në aksin rrugor Topojan - Kukës, ka dalë nga rruga duke përfunduar rreth 150 metër në greminë një furgon pasagjerësh ma targë AA 870 FY në të cilin ndodheshin 11 persona.

Si pasojë, kanë gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasit : Zekri Shehur, 65 vjeç, Feim Biba, 58 vjeç dhe Zamir Karanxha, 42 vjeç. Kanë gjetur vdekjen pasi janë transportuar në Spitalin e Kukësit në gjendje të rëndë shtetasit: Bashkim Çuni, 21 vjeç, i cili ishte edhe drejtuesi i mjetit, Majlinda Çuni, 23 vjeçe dhe Meleqe Serianallai, 22 vjeçe”.

“Janë transportuar me helikopter dhe me ambulancë drejt Spitalit Ushtarak Tiranë, në gjëndje të rëndë shtetasit : Xhevahir Çuni, 23 vjeç, Petrit Mustafa, 26 vjeç, Zyrie Kovaçi, 74 vjeçe dhe shtetasi Rustem Bibaj. Ndodhet ne Spitalin Rajonal të Kukësit, jashtë rrezikut për jetën shtetasi Servet H, vjeç 18.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se shkak i këtij aksidenti është humbja e kontrollit të mjetit nga shoferi. Në vend ngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë dhe po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave te kësaj ngjarjeje” bën të ditur zyrtarisht Policia e Kukësit.

ORA 12: 17 BEQAJ VIZITON SPITALIN E KUKESIT
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka shkuar në Kukës ku ka vizituar një të plagosur që ndodhet në spital. Ministri i Shëndetësisë ka takuar edhe familjarë e të afërmve të viktimave ku i ka shprehur ngushëllimet dhe ka premtuar gjithë ndihmën e nevojshme për t’ua lehtësuar dhimbjen. Beqaj i ka ofruar kryetarit të komunës së Shishtavecit, Dylejman Nela, çdo ndihmë që do t’i nevojitet për përballimin e kësaj ngjarjeje tragjike.
"Janë 4 të plagosur relativisht rëndë në Spitalin e Traumës në Tiranë. Kemi mundur të realizojmë një transport në kohë, qoftë nga ajri, qoftë nga toka. Një tjetër person, rreth të 20-tave, është i dëmtuar këtu, por është jashtë rrezikut për jetën. Shpresojmë që të plagosurit të mund të mbijetojnë. Ngjarja është shumë e rëndë, të shpresojmë që ngjarje të tilla të shohim sa më pak”- tha Beqaj.


(Ne video:Lidhja telefonike e A1 Report me Ministrin e Shendetesise)

ORA 12:00 DESHMITARI: NE FURGON ISHIM 13 PERSONA 
 Njëri prej të të mbijetuarve të aksidentit, 18-vjeçari Servet Hoxha, tregon detaje rreth ngjarjes. ” Kam qenë duke folur me telefon, kur befas kam dëgjuar të bërtitura. Menjëherë kam parë se furgoni ka nisur të rrokulliset. Kemi rënë rreth 500 metra poshtë në humnerë. Na kanë ardhur në ndihmë të parët pasagjerët e një furgoni që ishte para nesh. Si ka dalë nga rruga furgoni nuk e di”. Severti ka vetëm një të çarë në vetull, ndaj pas mjekimit ka dalë në mjediset e jashtme të spitalit. Ai tregon se furgoni i nisur nga fshati Shtrezë, ka patur rreth 13 pasagjerë, informon atsh.

ORA 11: 20 EKSKLUZIVE/ FOTOJA E PARE NGA AKSIDENTI, E SIGURON A1 REPORT
A1 Report siguron e para foton nga vendi i ngjarjes. Në foton e publikuar nga A1REPORT duken dëmet e mëdha
aksidenti
(Ne foto:Furgoni i aksidentuar)  Foto të tjera

ORA 11:20 MINISTRIA E SHENDETESISE: DY TË PLAGOSUR NË GJENDJE KOME
Ministria e Shëndetësisë ka bërë publike të dhënat e fundit në lidhje me aksidentin e rëndë në Topojan të Kukësit. “Sipas njoftimit të policisë, një aksident i rëndë ka ndodhur rreth orës 06:40 të mëngjesit të sotshëm (8/2/2014) në aksin rrugor Kukës-Shishtavec, në vendin e quajtur “Ura e Topojanit”. Një furgon i linjës së transportit të pasagjerëve me targë AA870FY ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në humnerë.

“Me marrjen e njoftimit nga strukturat përkatëse të Ministrisë së Shëndetësisë në orën 07:57, janë nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes edhe dy helikopterë të njësisë së transportit mjekësor të ministrisë së shëndetësisë, për të siguruar transportin e të lënduarve nga vendodhja e aksidentit drejt Spitalit të Traumës në Tiranë”, ka bërë të ditur ministria.

“Për shkak të gjendjes shumë të rëndë shëndetësore tre prej të aksidentuarve u transportuan me autoambulancë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ndërkohë, që në orën 09:30, mbërriti edhe i aksidentuar i katërt që u transportua me helikopter. Nga aksidenti i rëndë, 6 (gjashtë) persona kanë humbur jetën, ndërkohë që 4 (katër) të tjerë kanë mbetur të plagosur, ku dy prej tyre janë në gjendje të rëndë, përkatësisht i aksidentuari P.M., mashkull, rreth 30 vjeç në gjendje kome cerebrale, si dhe XH.Ç., mashkull, 22 vjeç, me politraumë dhe në gjendje kome”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shendetësisë.

“Ndërkohë, dy personat e tjerë që janë hospitalizuar në Spitalin e Traumës, H.K., femër, 67 vjeçe, në gjendje politraume dhe R.B., mashkull 24 vjeç me politraumë, janë krahasimisht në gjendje më të mirë shëndetësore. Të katër të aksidentuarit që ndodhen në Qendrën Kombëtare të Traumës janë në monitorim të vazhdueshëm nga ekipet mjekësore. Spitali i Traumës është vënë në gatishmëri të plotë me ekipe mjekësh dhe infermierësh të përforcuar, ku të gjitha sallat e kirurgjisë janë në dispozicion. Po ashtu, janë në dispozicion të gjitha materialet mjekësore dhe barnat për të përballuar këtë situatë”, bën të ditur Ministria e Shëndetësisë. 
 
ORA 10: 58:  FLAMUR NOKA NE SPITALIN E TRAUMES
Te plagosurit i viziton dhe deputeti i PD-së, Flamur Noka , i cili është deputeti i zonës

ORA 10: 39 BEQAJ:  2 PREJ TE PLAGOSURVE NE SPITALIN E TRAUMES NE GJENDJE TE RENDE
Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj në një intervistë telefonike për A1 Report thotë:  “Trupat kanë mbërritur në spitalin e Kukësit në orën 07:15 ndërkohë aksidenti ka ndodhur rreth orës 06: 30 minuta. Spitali i Kukësit ka reaguar me shpejtësi duke nisur ambulance në vendin e ngjarjes. Në orën  9.30 në 4 të plagosur janë në spitalin e traumës, 2 prej tyre janë në gjëndje shumë të rëndë. Lutemi e shpresojmë që ata që janë në jetë të mbijetojnë ngushëllime familjeve të të vdekurve”

ORA 10: 20 NËNDREJTORI I SPITALIT TË KUKËSIT: TË GJITHË PASAGJERËT 18-30 VJEÇ, VETËM NJË PASAGJERE 60 VJEÇ
 Nëndrejtori i spitalit të Kukësit Ismet Nika thotë se i plagosuri që është sjellur në Spitalin e Traumës është një djalë i ri rreth 22 vjeç.

"Tre persona kanë ndërruar jetë në vendin e aksidentit dhe nuk kanë ardhur në spital. Pasagjerët në furgon kanë qenë të moshës 18 – 30 vjeç, vetëm njëra ka qenë e moshës 60 vjeç. Kjo e fundit është plagosur dhe ndodhet në spitalin e traumës."- tha Ismet Nika në një prononcim për A1 Report.

aksident kukes
(Foto:Një nga të plagosurit sapo ka mberritur në spitali Ushatarak,foto:A.Çakshiri/Shqiptarja.com)Foto të tjera




ORA 10:15 ZV/ MINISTRI I SHENDETESISE: 2 NGA TE PLAGOSURIT TE TRAUMA NE GJENDJE TE RENDE
Zëvendës ministri i shëndetësisë, në një deklaratë për mediat nga Spitali i Traumës, Klodian Rrepaj deklaron se dy persona janë në gjëndje të rëndë.
“Kemi pasur një aksident tragjik. Me lajmërimin nga strukturat e policisë rreth orës 06.40, ka ndodhur një aksident në  Topojan. Ende nuk kemi shkaqet e aksidentit.  Sapo janë lajmëruar strukturat, Ministria e Shëndetësisë, janë nisur dy helikopterë në drejtim të Kukësit, tre kanë vdekur në vend. Në Spitalin e Truamës kanë mbërritur katër persona, dy në gjendje më të të rëndë, dy në gjendje më të mirë. Spitali është i gatshëm, ka ekipin e mjekëve për tu përpjekur për t’i dhënë ndihmën dy personave të cilët janë në gjendje më të rëndë.”- tha Klodian Rrapaj duke raportuar dhe për  mbërritjen në spital të 4 fëmijëve nga Fushë Kruja të cilët ishin plagosur nga një shpërthim.