Të paktën 12 persona kanë humbur jetën nga një zjarr i madh pyjor në Los Gallardos, në provincën juglindore të Almerías, sipas qeverisë rajonale të Andaluzisë, ndërsa gjashtë të tjerë janë plagosur.
Disa nga viktimat u gjetën brenda automjeteve që ishin përfshirë nga flakët. Dëshmitarët thanë se zjarri u shkaktua nga rrëzimi i një linje elektrike, ndërsa flakët u përhapën me shpejtësi në një zonë pyjore pranë vendngjarjes. Autoritetet ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht shkakun e zjarrit.
"Numri i viktimave nga zjarri në Los Gallardos është rritur në 12 pas konfirmimit të gjashtë vdekjeve të tjera," thuhet në një deklaratë të qeverisë rajonale të Andaluzisë.
Presidenti i qeverisë rajonale, Juanma Moreno, e cilësoi ngjarjen "një tragjedi". Duke reaguar në rrjetin social X pas njoftimit fillestar për gjashtë viktima, ai shkroi: "Zemrat tona janë të rënduara dhe jemi të shkatërruar nga dhimbja."
Rreth 150 zjarrfikës po punojnë për të vënë nën kontroll flakët në fshatin Bedar. Mes të plagosurve është një person që u dërgua në spital për shkak të asfiksisë dhe një tjetër që pësoi djegie. Katër persona të tjerë morën ndihmë mjekësore në vendngjarje për djegie të lehta dhe probleme me frymëmarrjen të shkaktuara nga tymi i dendur.
Zjarri shkaktoi gjithashtu mbylljen e disa rrugëve, ndërsa rreth 1.000 banorë u evakuuan, sipas shërbimeve të emergjencës.
Një valë e zgjatur të nxehti, me temperatura rreth 40°C, ka nxitur shpërthimin e zjarreve pyjore në mbarë Evropën Jugore.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez deklaroi në muajin maj se Spanja do të angazhonte këtë verë operacionin më të madh të reagimit ndaj zjarreve pyjore në historinë e vendit, sipas mediave lokale dhe agjencisë AFP.
Njësia Ushtarake e Emergjencave e Spanjës (UME), e cila aktivizohet në raste emergjencash madhore, njoftoi se do t'i bashkohej operacionit për shuarjen e zjarrit në Los Gallardos.
Në qershor, Spanja regjistroi temperaturën mesatare ditore më të lartë që nga viti 1950 dhe disa nga temperaturat më të larta të regjistruara ndonjëherë për këtë muaj. Në disa pjesë të vendit u parashikuan temperatura deri në 42°C.
Sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), vitin e kaluar në Spanjë u dogjën rreth 393 mijë hektarë tokë, më shumë se gjashtë herë mbi mesataren e periudhës 2006–2024.
Ndryshimet klimatike po rrisin temperaturat në mbarë botën dhe Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt, me një ritëm dy herë më të lartë se mesatarja globale, sipas shërbimit klimatik Copernicus.
Kjo po sjell valë më të shpeshta të të nxehtit gjatë verës, presion më të madh mbi burimet ujore të Evropës dhe zjarre pyjore gjithnjë e më intensive.
Viti i kaluar ishte sezoni më i rëndë i zjarreve në Bashkimin Evropian që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 2006. Më shumë se një milion hektarë tokë u përfshinë nga flakët në të gjithë BE-në.
Një studim i veçantë i grupit World Weather Attribution pranë Imperial College London e lidh drejtpërdrejt përkeqësimin e sezonit të zjarreve në rajonin e Mesdheut me ndryshimet klimatike.
Ndërkohë, qindra zjarrfikës po luftojnë me zjarre të mëdha në Francë, Portugali dhe Spanjë, ndërsa mijëra banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Ekspertët paralajmërojnë se zjarret e shpeshta dhe gjithnjë e më të rënda në Evropë ka të ngjarë të vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme.
Komente









