Për këtë fakt, ka pasur një debat mes zv/komandantit të Forcave Detare të Shqipërisë, Bektash Petoshati dhe Komandantit të Distriktit të Dytë Detar, Ilir Manço, ku ky i fundit i ka deklaruar se nuk mund të mbushte serbatorët e anijeve me naftë, pasi atë e vidhnin gjatë natës dhe ditës kapterët. Gazeta “Shqiptarja.com” sot publikon dëshminë e Bektash Petoshatit, dhënë në prokurorinë e Vlorës, lidhur me tragjedinë e rëndë të 9 Janarit 2004.
Dëshmia e Petoshatit
“…Unë kam qenë zv/komandant i Forcave Detare të Shqipërisë dhe këtë detyrë e kam kryer deri në datën 15.04.2005, deri në 15 maj të vitit 2003 kam qenë Komandant i Forcave Detare në Vlorë.
Pyetje: Duke patur parasysh detyrat që keni pasur a mund të na shpjegoni në lidhje me ngjarjen e datës 9 janar 2004? Çfarë masash janë marrë nga ana e forcave detare? Si u zhvillua operacioni i kërkim-shpëtimit dhe fakte të tjera për të cilën jeni në dijeni?
Përgjigje: Në lidhje me këtë çështje janë dy detaje të cilat na detyronin ne të bënim planizimin për operacionin e kërkim-shpëtimit qysh më parë. Së pari, është Konvenata e Hamburgut e vitit 1979, në të cilën Shqipëria ka aderuar me ligjin Nr 9056 të datës 24 Prill 2003. Ligj tjetër është ligji për rojen bregdetare i vitit 2002, si dhe “Manuali i Rojes Bregdetare”. Në këtë manual, në pikën 7.1 në kreun e shtatë thuhet se pavarësisht se shteti Shqiptar, nuk ka nënshkruar Konventën Ndërkombëtare për Kërkimin dhe Shpëtimin në Det, akti i së cilës është nënshtruar në Hamburg më 1979, Roja Bregdetare ka përgjegjësinë e organizimit dhe realizimit të tyre në hapësirën detare shqiptare. Për të marrë pjesë në të tilla operacione duhet të hartohen plane e instruksione dhe duhet të specifikohen masa për furnizim me karburant me sasinë e plotë të anijes, avionit dhe mjeteve të tjera të përfshira në operacionin e kërkim-shpëtimit…
Dua të them se Forcat Detare në 9 Janar 2004 nuk kishin planë të gatshme as qëndra as dhe nënqëndrat, megjithëse duhet të ishin në koordinim të plotë. Një nga shkaqet që ka ndikuar drejpërdrejt në mosrealizimin e detyrës është mungesa e karburantit. Sipas ligjit, furnizimi me karburant duhet të ishte 100 për qind për të gjitha anijet si dhe të kishte rezervë edhe për anijet e huaja që mund të na ndihmonin në operacion. Sipas dokumentit të gadishmërisë luftarake duhet të kishte kompletim mbi 70 për qind me karburant për çdo anije, po kaq dhe në depo….
Në datën 7 Janar 2004, paradite kam qënë në Distriktin e Vlorës në bazën e Pashalimanit, për të komunikuar emërimet e personelit. Pasi bërë komunikimin gjatë një bisede me ish-komandantin e Distriktit Ilir Manço e pyeta për sasinë e karburantit në “anijet polumbare”. Ai më ktheu përgjigje se i kishte lënë pa karburant pasi e vjedhin kapterat. Fakti që anijet kanë qënë pa karburant e vërteton dhe dokumenti 36/1 i datës 14 Janar 2004, ku anija PSV 15 në Pashaliman, në orën 04:45 të datës 10 Janar njoftonte se vazhdon të furnizohet me karburant. Kjo anije ka dalë në orën 05:17 të datës 10 janar si dhe ka mbëritur në rajon në orën 07:12. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me anijet e tjera, të cilat për shkak të mungesës së karburantit nuk kanë dalë në kohën e duhur, por dalja e tyre në det për operacionin e kërkim-shpëtimit është bërë shumë orë me vonesë….
Problem tjetër me të cilën është abuzuar me ngjarjen e 9 Janarit është dhe gjendja e detit.Pas ngjarjes kam bërë disa sondazhe në disa pika. Në datën 8 Janar 2004 rreth orës 18:00, kthehesha nga Saranda dhe kam ndaluar në Llogara. Gjatë rrugës kam parë peshkatarë në gjueti. Pas ngjarjes ditën e Diel, në datën 11 Janar shkova në Vlorë, për arsye se disa nga familjarët e viktimave, do t'i mernim me dy anije në kërkim të trupave në det. Aty kam biseduar përsëri me z. Ilir Manço dhe e pyeta: Po ju nuk i morrët dot të dhënat e detit? Ai mu përgjigj se nuk kishin nga ta merrnin. Këtë logjikë e vërteton dhe fakti se anija e gatshme në Sazan, anija 224, ishte anija më e vogël që kishte distrikti i Vlorës e nuk duron dot më tepër se tre ballë det. Nisur nga këto, mora tek trageti “Skënderbeu” parashikimin e motit për datën 9 Janar. Dhe parashikimet e marra nga radio “Split Radio 9AS” tregonin se forca e detit ishte 4-5 ballë dhe jo 6 ballë, siç është raportuar në dokumentat zyrtare….
Në datën 17 Janar 2004 ne u thirrëm në raport në Shtabin e Përgjithshëm. Në ato moment unë kisha kundërshtuar mënyrën e veprimit dhe faktit që e vërteta po mbulohej. Por me këmbëngulje, mua nuk mu la të vija në Vlorë për kontroll. Në thirrje, në raport mu kërkua që unë të firmosja materialin, por duke mos qenë dakord nuk e firmosa atë. Gjatë debatit i deklarova hapur shefit të shtabit, Pëllumb Qazimi se fajin e kanë ushtarakët dhe për këtë duhet analizë ushtarake. Ky operacion mund të ketë qenë çdo gjë, por vetëm operacion kërkim-shpëtimi s'ka qenë, pasi nuk është kryer asnjë veprim nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë.
Dritan Lamaj, u pezullua për tragjedinë e 9 Janarit
Dritan Lamaj kryekomisari që mbeti i vrarë në natën e 24 Shkurtit dhe që dyshohet se autor i këtij krimi është biznemeni Arben Frroku, rezulton të ketë qënë një nga feketivët që është ndëshkuar për ngjarjen e rëndë të 9 janarit 2004. Në atë kohë Dritan Lamaj, është pezulluar nga detyra e shefit të Policisë së Rendit në Komisariatin e Vlorës.
Shkak i pezullimit ka qënë mosveprimi i tij për parandalimin e tragjedisë së 9 janarit. Nuk dihet me saktësisë se sa ka qënë koha e pezullimit të Dritan Lamaj, nga detyra e Shefit të Policisë së Rendit, por pas disa kohësh ai është rikthyer sërisht në Policinë e Shtetit, duke u caktuar sërisht në Vlorë dhe më pas në qarkun e Tiranës. Dritan Lamaj është ekzekutuar me dhjetëra plumba në muajin shkurt të vitit të kaluar dhe se personi i vetëm për këtë ngjarje, dyshohet se është biznesmeni Arben Frroku.
Implikimi i policëve
Vladimir Kardhishta
Komandant i Postës Dhërmi
Ilir Rrokaj
Shef i Zyrës së Qarkullimit Rrugor
Theodhori Gravani
Shef i Zyrës së personelit
Sefulla Metka
Komandant i Postës Himarë
Lulzim Nelaj
Specialist në zyrën e Trafiqeve
Alfred Cenaj
Specialist në Zyrën e Trafiqeve
Transferime
Ago Memaj
Pirro Nuredini
Edmond Mustafai
Aurel Batalli
Ferdinand Kanani
Nikolin Begvarfi
Pezulluar
Kujtim Pepa
Fatos Muka
Emro Zholi
Dritan Lamaj
Shkrimi u publikua sot (26.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)