7 vjet nga tragjedia e rëndë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri deklaron se 15 marsi është një ndër ditët më të zeza e të turpshme për drejtësinë shqiptare".
Në një postim në rrjetin social "Facebook", Tahiri shkruan: "një biznes i lidhur me majën e pushtetit dhe zemrën e familjes së ish-kryeministrit shkaktoi vdekjen e shumë fëmijëve, grave dhe burrave, nga babëzia për fitim".
Më pas, Tahiri ka përmendur personat që sipas tij, duhet të mbanin përgjegjësi, pasi deri më sot janë dhënë më pak vite dënim sesa viktima të shkaktuara.
"Ish-ministri i Mbrojtjes vijon të mos gjykohet, sepse rifitoi mandatin e deputetit, apo më saktë imunitetin. I biri i ish-kryeministrit nuk u pyet kurrë, as edhe një herë të vetme. Ish-ministri i Drejtësisë dhe një deputet tjetër, që i shërbenin 'kopsitjes' së letrave, nuk u pyetën kurrë gjithashtu", shkruan Tahiri në Facebook.
Duke rikujtuar se sot këta persona janë të lirë, pa e ndierë aspak peshën e drejtësisë dhe as peshën e turpit publik, Tahiri u jep përgjigje edhe atyre njerëzve që mendojnë se zbardhja e kësaj ngjarjeje është përgjegjësi e mazhorancës. "Kush mendon që edhe kjo është përgjegjësi e mazhorancës, le të kuptojë se është vetëm Prokuroria dhe gjykata, që mund të veprojë për këtë çështje. Reforma në drejtësi është angazhim i mazhorancës e kjo po ndodh me shpejtësi, që të tilla gjëra të mos ndodhin kurrë më, në të ardhmen", përfundoi reagimin e tij, ministri Tahiri./atsh/