Një aksident tragjik ajror ka ndodhur në shtetin amerikan të Misurit, ku humbën jetën 11 parashutistë dhe piloti i avionit, konfirmuan autoritetet.
Avioni, i marrë me qira nga një kompani e hedhjeve me parashutë, u ngrit nga pista rreth orës 11:20 të së dielës me orën lokale, sipas një zëdhënësi të Menaxhimit të Emergjencave në qarkun Bates.
Sipas autoriteteve, avioni nuk arriti të fitonte lartësi pas ngritjes, bëri një kthesë të fortë majtas dhe u rrëzua rreth 200 metra larg Aeroportit Memorial të Butlerit. Të 12 personat që ndodheshin në bord humbën jetën.
“Po e trajtojmë këtë si një ngjarje me shumë viktima”, deklaroi Sherifi i qarkut Bates, Chad Anderson, gjatë një konference për mediat.
Ai sqaroi se nuk bëhej fjalë për një linjë ajrore komerciale, por për një avion lokal që ishte nisur nga aeroporti i zonës. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) bëri të ditur se avioni ishte i tipit Pacific Aerospace P750 dhe u rrëzua gjatë nisjes nga aeroporti.
“Shërbimet e kontrollit të trafikut ajror nuk po ofroheshin në atë moment”, tha FAA, duke sqaruar se avioni nuk ishte i detyruar të ishte në komunikim me kullën e kontrollit për shkak të llojit të hapësirës ajrore ku po fluturonte.
Mediat lokale raportuan se ekipet e emergjencës kontrolluan zonën për të verifikuar nëse ndonjë prej parashutistëve kishte arritur të hidhej para rrëzimit të avionit.
Sipas sherifit, disa familjarë të viktimave ishin dëshmitarë të ngjarjes. Autoritetet nuk kanë bërë ende publike identitetet e viktimave.
Qyteti i Butlerit ndodhet rreth 80 kilometra në jug të zonës metropolitane të Kansas City. Hetimet për shkaqet e aksidentit po drejtohen nga Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB), në bashkëpunim me FAA.
Komente




