Rolando Maran ka folur fjalët e para si trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit. Në prezantimin para medieve, 62-vjeçari u shoqërua nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Maran u pa i emocionuar dhe tha se ekipi përfaqëson një popull krenar, të cilën ai do ta përçojë në fushë. Maran shtoi se ka folur me De Biasin, ish-trajnerin e Shqipërisë.
"Dua të falenderoj presidentin Duka për besimin e dhënë dhe fjalët e thëna. Kam një falenderim për Sylvinhon, e kam ndjekur ekipin dhe ka bërë një punë shumë të mirë. Shqipëria është ekipi i një populli shumë krenar. Dua të transmetoj në fushë këtë krenari për fanellën. Për mua është një impenjim moral, jam pak i emocionuar sepse ndjej një mision të fortë. Këtë që përfaqësoni ju dua ta transmetoj në fushë.
Kam folur me De Biasin, është një mik i imi dhe një trajner që e vlerësoj. Më ka dhënë disa vlerësime që mundohem t'i përfaqësoj.
Botërori? Kjo është ëndrra juaj, si edhe e imja. Nëse jam këtu kam bindjen se me përkushtimin dhe profesionalizmin dhe pak fat, kjo gjë mund të bëhet", tha Maran.
Maran do të fillojë menjëherë punën për dy miqësoret që Shqipëria do të luajë në qershor në Tiranë, më 3 qershor kundër Izraelit dhe në datën 6 kundër Luksemburgut.
Lajmi kryesor:
Sylvinho i lë stafetën trajnerit Rolando Maran, italiani firmos deri në vitin 2028 dhe prezantohet në Kombëtare: Fola me De Biasin, mund të shkojmë në Botëror








