Trajneri i Kombëtares turke ka folur sot për mediat e vendit të tij në lidhje me dy ndeshjet e para kualifikuese të Europianit, ku fillimisht përballë do të ketë Shqipërinë. Senjol Gynesh shprehet se Tuqia duhet ta nisë me fitore, pasi kundërshtarët e vërtetë janë Franca dhe Islanda.

“Jemi në fillimin e një kapitulli dhe në Shqipëri duhet të bëjmë hapin e parë. Nuk duhet të mbetemi te e kaluara dhe nuk  mund të mburremi me sukseset që janë arritur. Ne duhet të jemi si Franca, e cila mendon se si do të mbrojë suksesin. Ndërsa Islandën nuk e njihnim. Kur unë kam qenë në kryer të kombëtares kemi berë vetëm një miqësore dhe e kemi fituar 4-0,”- ka thënë fillimisht Gynesh.

“Ndeshja me Shqipërinë do të jetë shumë e luftuar. E mira do të ishte që ndeshjen e parë ta fitojmë. Është e rëndësishme që ne të jemi jo vetëm në letër më të mirë se Shqipëria, por ta tregojmë këtë edhe në fushë. Nëse fitojmë dy ndeshjet e para dhe një prej takimeve me Francën, mendoj se do të jemi para skuadrave të tjera,”- ka shtuar më pas Gynesh.

“Do të ishte më e mira të nisnim direkt kundër Francës dhe jo kundër Shqipërisë dhe Moldavisë, kështu do ishim më të motivuar. Francën dhe Islandën i kemi si rival në letër, por në fund do të luajmë kundër të gjithëve. Duhet të nisim duke treguar superioritet ndaj Shqipërisë, janë shënjestra jonë e parë dhe duhet ta nisim mbarë, edhe për psikologjinë,”- ka përfunduar Gynesh.