Transaksioni që i përpiu 2 milionë euro

Transaksioni që i përpiu 2 milionë euro

Foto ilustruese

Një punëtor i Thesarit të Kosovës, me inicialet L.G, dyshohet se ka bërë transferimin e mbi 2.1 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk,  me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Gllogocit, 30 kilometra larg Prishtinës.

Policia ka njoftuar zyrtarisht se të martën në mbrëmje, pas hetimeve të zhvilluara, është arritur të arrestohet një i dyshuar derisa dy të tjerë gjenden në arrati. Bëhet fjalë për L.G, ku përveç pronës së tij në Komoran, është bastisur edhe banesa në Prishtinë dhe i është konfiskuar një veturë e tipit Audi A4.

Në arrati janë K.Sh dhe V.Sh, të cilët janë të lidhur me kompaninë në fjalë.

Zyrtarisht është konfirmuar kërkimi i bllokimit të llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ky rast është thënë se ka ndodhur më 9 tetor 2020, ndërkaq arrestimi i parë është bërë mbrëmë më 20 tetor.

Në bazë të regjistrit të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve, rezulton se kompania LDA Group shpk, ishte regjistruar si biznes në gusht të 2019-tës. Pronarë të këtij biznesi figurojnë K.Sh dhe V.Sh. Veprimtari kryesore e ka të përcaktuar ndërtimin e objekteve banesore dhe jo banesore, ndërkaq veprimtari dytësore demolimin e objekteve.

Përmes një konference të jashtëzakonshme për media edhe ministrja e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka konfirmuar se kanë ndodhur katër transaksione të paligjshme në vlerë prej më shumë se 2.1 milionë eurosh, në një llogari të një operatori privat.

Për këtë rast, Bajrami tha se janë suspenduar dy zyrtarë, njëri prej tyre është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Sipas saj, rastin në organet e rendit ka denoncuar Ministria e Financave.

“Ky është një transaksion bankar dhe kemi gjurmuar të gjitha transaksionet që janë bërë si rezultat i këtij transaksioni. Organet e rendit janë duke u marrë, për të parë se kush janë përfituesit fundorë”, ka deklaruar ajo.

Institucionet e rendit po bëjnë përpjekje maksimale që këto mjete t’i kthehen buxhetit të Republikës se Kosovës, tha ndër të tjera Bajrami.

Ministrja e ka cilësuar këtë rast si "të izoluar".

Ajo që dua t’ju siguroj është se ky është një rast i izoluar më te cilin po merret intensivisht edhe Ministria e Financave dhe organet e rendit. Mjetet e tyre dhe buxheti i Kosovës është i sigurt. Nuk është tërheqje e mjeteve kesh, por përmes llogarisë sepse mjetet e buxhetit të Republikës së Kosovës janë në Bankën Qendrore të Kosovës dhe janë të sigurta”, ka thënë ajo para mediave./ REL

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave