Në përgjigjen dërguar drejtuesve të dy komisioneve parlamentare, Bledi Çuçit të Komisionit të Sigurisë dhe Fatmir Xhafës të Komisionit për Mbikqyrjen Institucionale, burime për Report TV bëjnë të ditur se ministri i Drejtësisë Toni Gogu, është shprehur se ka urdhëruar inspektim për rastin e transferimit të papritur të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit, dy ditë më parë.

Përgjigja e Gogut vjen pasi dje Fatmir Xhafaj dhe Bledi Çuçi i janë drejtuar zyrtarisht me një shkresë ministrit Gogu duke kërkuar informacion për procedurën e ndjekur në lidhje me transferimin e Veliajt drejt Fierit.

Ministri po ashtu mësohet të ketë vënë në dukje se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, është përgjegjëse direkte sipas ligjit për transferimin e të paraburgosurve apo të dënuarve.

Në deklaratën e djeshme, Drejtoria e Burgjeve, bënte të ditur se në 12 ditët e fundit kishte urdhëruar 24 transferime. Mesohet se ministri Gogu, nuk është kufizuar vetëm në rastin e kryebashkiakut të Tiranës, por e ka shtrirë inspektimin mbi të gjitha lëvizjet e urdhëruara nga Drejtoria e Burgjeve.

Vetë kryebashkiaku Veliaj ka pretenduar se transferimi është bërë pa dijeninë e tij, në shkelje të plotë të të drejtave të njeriut, pasi nuk i ishte treguar as urdhri i transferimit. Pasi motivin e transferimit të tij drejt Fierit Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e cilësoi si ‘sekret shtetëror’, kryebashkiaku Veliaj tha se autoritetet që mund ta klasifikojnë një çështje si sekret janë Presidenti, Kryeministri dhe çdo institucion që autorizohet prej tyre. Ai i kërkoi Drejtorisë së Burgjeve autorizimin që të tregonte autorizimin që kishte marrë nga kryeministri për klasifikimin e tij si sekret shtetëror.